TIRANË- Këshilli i Ministrave ka marrë sot një sërë vendimesh të rëndësishme, një pjesë e të cilave ka të bëjë me ekzekutimin e vendimeve të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave miratoi marrjen në përdorim të përkohshëm dhe vendosjen e servitutit për interes publik të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimi i korridorit të Gazsjellësit TAP (pjesë e Projektit TAP).

Qeveria miratoi edhe disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.933, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, “për miratimin e strukturës organizative të qendrës kombëtare të urgjencës mjekësore”.

Qeveria gjithashtu miratoi në parim, marrëveshjen e Parisit, në kuadër të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara, për ndryshimet klimatike.

Këshilli i Ministrave miratoi edhe financimin e kostos së menaxhimit të projekteve të qeverisë shqiptare, që zbatohen nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, në një vlerë jo më shumë se 157 000 000 (njëqind e pesëdhjetë e shtatë milionë) lekë, e cila përballohet nga zëri i kostos lokale, të miratuar në buxhetin e vitit 2016 për Fondin Shqiptar të Zhvillimit.

Qeveria miratoi edhe kushtet për vendosjen e detyrimit të shërbimit publik, që do të zbatohen ndaj të licencuarve në sektorin e energjisë elektrike, të cilët ushtrojnë aktivitetin e prodhimit, transmetimit, shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.

Qeveria miratoi në parim, dokumentin e ndryshimit të marrëveshjes së grantit të miratuar me vendimin nr.636, datë 31.7.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e marrëveshjes së grantit suedez nr.TF014255, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve grant të siguruara nga Suedia, e përfaqësuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA), për bashkëfinancimin e projektit të burimeve ujore dhe ujitjes”.

Qeveria miratoi edhe rregullin teknik “Për kërkesat teknike në instalimin dhe kontrollin e dispozitivit diferencial, vendosur në pajisjet, impiantet dhe instalimet elektrike”.

Qeveria miratoi shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi, rikonstruksioni dhe rinovimi i Unazës së Vogël, loti 3”, Tiranë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: