Shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Zahir Tanin i tha Këshillit të Sigurimit se ka pasur mungesë komunikimi nga ana e Prishtinës për aksionin në veri për të zbatuar vendimin e reciprocitetit për targa në fund të muajit shtator. Sipas tij, komunitetit ndërkombëtar dhe KFOR-it si mekanizëm për ruajtjen e paqes, nuk iu kishte dhënë njoftim paraprak për aksionin e policisë. “Kam ngritur zërin kundër veprimeve të njëanshme dhe që të mirren hapa të menjëhershëm në uljen e tensioneve dhe përfshirjen në dialog”, tha Tanin në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e cila po i zhvillon punimet të premten (15 tetor) për të shqyrtuar raportin gjashtë mujor të shefit të UNMIK-ut.

Tanin foli edhe për aksionin e dy ditëve më herët për luftimin e kontrabandës së mallrave për të cilin tha se ende është pikëpyetje nëse KFOR-i ishte i paralajmëruar për këtë aksion. Aksioni, sipas tij provokoi sërish trazira në atë pjesë të Kosovës. Në bisedat që ka pasur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ai tha se ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq tha se situata e sigurisë në Kosovë ka qenë e karakterizuar me incidente ku janë shënjestruar serbët. “Institucionet e përkoshme vetëqeverisëse vazhdojnë të marrin hapa të njëanshëm dhe refuzojnë zbatimin e marrëveshjeve në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Selakoviç. Duke folur për situatën në veri ai tha se “inkursioni i fundit i njësisë Rosu (v.j. njësitet speciale të Policisë së Kosovës) në veri të Mitrovicës është nënti i këtij lloji dhe kjo është bërë jetesë e çdo ditshme e serbëve e cila duhet të ndalet menjëherë”.

“Përmes armëve dhe gazit që është përdorur në veri së fundi ka pasur edhe viktima”, tha Selakoviq, duke shtuar se Serbia është kundër kontrabandës po Këshilli i Sigurimit, sipas tij, duhet ta dij që një qëllim i tillë është përdorur në mënyrë cinike për sulm ndaj popullatës serbe. “Inkursionet e fundit të policisë kanë qenë për të provokuar serbët dhe për të intimiduar ata dhe të provokojnë Beogradin që të reagojë”, tha Selakoviq.

Ai tha se Serbia është e interesuar për zgjidhje kompromisi në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja mirëpo Prishtina nuk po i zbaton marrëveshjet nga ky dialog përfshirë atë për për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Është ky një takim i rregullt për Kosovën, ku paraqitet raporti i Misionit të Kombeve të Bashkuara.

Raporti përfshin periudhën 16 mars – 15 shtator, 2021.
Takimi do të zhvillohet dy ditë pas një krize të re në veri të Kosovës, ku serbët lokalë protestuan dhunshëm për shkak të një operacioni anti-kontrabandë të Policisë së Kosovës. Në përleshjet midis policisë dhe protestuesve u lënduan 20 veta, në mesin e tyre zyrtarë policorë. Në këtë takim po merr pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikolla Selakoviq.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb