Këshilli i Sigurimit i OKB-së dënoi fuqishëm të mërkurën dy sulmet e fundit terroriste në Irak.

Në një deklaratë për shtyp, anëtarët e Këshillit të Sigurimit dënuan sulmin terrorist të së martës në Basra, i cili la të paktën katër persona të vdekur dhe 20 të tjerë të plagosur. Ata dënuan gjithashtu sulmin terrorist të së premtes në Irakun verior, i cili, i marrë përsipër nga Shteti Islamik, rezultoi në të paktën 13 të vdekur.

Anëtarët e këshillit shprehën ngushëllimet më të thella për familjet e viktimave dhe për qeverinë e Irakut. Ata u uruan shërim të shpejtë dhe të plotë të plagosurve.

Ata nënvizuan nevojën për të mbajtur përgjegjës autorët, organizatorët, financuesit dhe sponsorët e këtyre akteve të dënueshme të terrorizmit dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë dhe u kërkuan të gjitha shteteve të bashkëpunojnë aktivisht me qeverinë e Irakut dhe të gjitha autoritetet e tjera përkatëse në këtë drejtim.

Anëtarët e këshillit rikonfirmuan se terrorizmi në të gjitha format dhe manifestimet e tij përbën një nga kërcënimet më serioze për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.

Ata përsëritën mbështetjen e tyre për pavarësinë, sovranitetin, unitetin, integritetin territorial, procesin demokratik dhe prosperitetin e Irakut dhe ripohuan mbështetjen e tyre për sigurinë e Irakut dhe luftën e vazhdueshme kundër terrorizmit, duke përfshirë edhe kundër Shtetit Islamik.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb