Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara votoi njëzëri të shtunën për të miratuar një rezolutë me nismën e Shteteve të Bashkuara, që i heq Koresë së Veriut 1 miliardë dollarë të ardhura në vit, të cilat përdoren prej saj për programin e jashtëligjshëm bërthamor dhe balistik.

Rezoluta për sanksione shtesë erdhi si përgjigje ndaj lëshimit nga Pheniani të raketave balistike ndërkontinentale më 3 dhe 28 korrik, të cilat treguan se Koreja e Veriut mund të ketë arritur aftësinë për të vënë në shënjestër SHBA dhe pjesën më të madhe të Europës.

Dispozitat e rezolutës në thelb i mohojnë Phenianit një të tretën e të ardhurave vjetore prej 3 miliardë dollarësh në formë eksportesh. Objekt i rezolutës janë katër sektorë të eksportit: qymyrguri, hekuri dhe minerali i hekurit, minerali i plumbit dhe plumbi si dhe ushqimet e detit.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikki Haley, tha se SHBA janë “duke marrë dhe do të vazhdojnë të marrin masa të kujdesshme mbrojtëse për të ruajtur veten dhe aleatët” nga kërcënimi që paraqet Koreja e Veriut, pët të cilin ajo tha se “po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm”.

Në dy rezoluta të miratuara në mars dhe nëntor të vitit të kaluar, Këshilli i Sigurimit vendosi limite për eksportet e qymyrgurit, që është eksporti më i madh i Koresë së Veriut.

“Në këtë rezolutë nuk bëhet fjalë për kufizim, qymyri nuk do të lejohet. Të gjitha eksportet e qymyrit ndalohen të eksportohen nga Koreja e Veriut”, tha për Zërin e Amerikës një diplomat i Këshillit të Sigurimit para votimit.

Diplomati tha se me heqjen e sasisë së lejuar, të ardhurat e eksportit të Koresë së Veriut menjëherë do të pësojnë një rënie prej 400 milion dollarësh në vit.

Ndalimi i eksportit të hekurit dhe e mineralit të hekurit do ta privojë Korenë e Veriut nga rreth 251 milionë dollarë këtë vit. Eksportet e plumbit dhe mineralit të plumbit pritej t’i sillnin vendit 113 milionë dollarë të ardhura këtë vit, ndërsa prodhimet e detit rreth 300 milionë dollarë.

Rezoluta gjithashtu ndalon vendet e ndryshme të pranojnë punëtorë të tjerë sezonalë nga Koreja e Veriut. Pheniani është i njohur për dërgimin e shtetasve të tij në vende të tjera për të punuar dhe pastaj i konfiskon një pjesë të mirë ose të gjitha pagat, duke i kthyer ata në thelb në skllevër të punësuar.

Rezoluta forcon zbatimin e sanksioneve ekzistuese. Që nga viti 2006, Këshilli i Sigurimit ka vendosur disa herë sanksione gjithnjë e më të ashpra ndaj Koresë së Veriut për provat e saj bërthamore dhe lëshimin e raketave balistike.

Përveç sanksioneve, rezoluta përcakton nëntë individë të Koresë së Veriut dhe katër njësi ekonomike të cilëve u bllokon pasuritë dhe i ndalon të udhëtojnë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb