Kryeministri Edi Rama ka qenë sot në Dibër në kuadër të këshillimit kombëtar, ku ka bashkëbiseduar me qytetarët.

Ai tha se këshillimi kombëtar është një përpjekje e re në vazhdën e rrugës së socialistëve për të ndërvepruar sa më shumë me qytetarët dhe një hap më tutje për përfshirjen e qytetarëve në vendimmarrjet e rëndësishme të qeverisë.

“Shumëkush e komenton këtë nismë të re tonën si të vonuar, pasi sipas tyre duhej bërë që në fillim të mandatit të parë. Fakti që ne e ndërmarrim këtë nismë sot në fillim të mandatit të tretë është shumë domethënës. Ne duam të përmirësohemi çdo ditë dhe përpiqemi çdo ditë të bëjmë më shumë dhe më mirë. Është një fakt kuptimplotë që tregon se nuk jemi të shkëputur nga realiteti dhe gjithmonë e më shumë ndiejmë nevojën të konsultohemi me njerëzit”, tha Rama.

Ai theksoi se këtu bëhet fjalë për vendime për të cilat ne ende kemi dilemat tona.

“Ka të tjerë që thonë që këshillimi kombëtar është një nismë propagandistike sepse opinioni i qytetarëve nuk i intereson qeverisë. Po për çfarë arsyeje do duhej ta ndërmerrnim këtë nismë dhe të harxhonim kaq shumë kohë dhe jo pak energji dhe të përfshinim gjithë dynjanë në këtë nismë nëse nuk do donim të dëgjonim opinionin e qytetarëve. Për çfarë arsye do futeshim në një marrëdhënie të gabuar dhe në gojën e shumicës nëse ne do të bënim të kundërtën e asaj që na thotë shumica. Janë dyshime të mirëkuptueshme, por që nuk kanë asnjë bazë. Ne e duam opinionin e qytetarëve dhe duam që vendimmarrjet tona të jenë sa më shumë të mbështetura tek fryma dhe bindja e shumicës së qytetarëve. Ka njerëz që thonë se këto çështje që kemi shtruar nuk janë të rëndësishme, ka të tjera më të rëndësishme. Unë besoj se ka çështje të rëndësishme, por këto janë më të rëndësishme. Çështja e kursimeve të emigrantëve. Ne e dimë shumë mirë historinë e emigracionit në Shqipëri, përpjekjet e jashtëzakonshme të tyre për të fituar duke punuar dhe për të kursyer për të ndihmuar dhe familjet. Ka pa diskutim shumë kursime të emigrantëve të bëra në vite të cilat nuk janë të formalizuara. Procedurat janë të tilla që kërkojnë justifikime nëpërmjet dokumenteve dhe që vënë përpara vështirësish të jashtëzakonshme për të justifikuar burimin e atyre të ardhurave. Këtu flasim për burim nga puna, jo për aktivitete kriminale. Përderisa në shumë vite dhe qeveri të mëparshme e kanë tentuar këtë vendim dhe nuk e kanë marrë, do të thotë që nuk është një vendim i lehtë. Për këtë arsye kemi vendosur të pyesim njerëzit, a duhet ne t’i japim mundësi emigrantëve të legalizojnë paratë e fituara nga puna dhe të kenë mundësi që këto para t’i depozitojnë në banka. Dhe pastaj përmes kësaj rruge t’i investojnë në mënyrë të pastër në Shqipëri që do të thotë në mënyrë të dokumentuar, apo nuk duhet. Ky është një vendim jo i lehtë për t’u marrë dhe ne do ta marrim bazuar në atë që do të thonë qytetarët. Ndaj i lutem të gjithëve ta plotësojnë pyetësorë”, tha Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb