Emmanuel Macron, Presidenti i Francës, konfirmoi në një intervistë për shtypin e përditshëm rajonal të shtunën se ka pasur një diskutim me Kylian Mbappé në rrjedhën e vendimit të tij për të qëndruar te PSG.

Gjatë dhe pas konferencës për shtyp që detajonte vendimin e tij më 23 maj, 23- vjeçari tha se ishte konsultuar dhe kishte marrë “këshilla të mira” nga presidenti francez, i cili donte që ai “të qëndronte në Paris”.

Këtë fakt, kreu i “Elysee” e konfirmoi me buzëqeshje, jo pa kujtuar se vetë është një mbështetës i Olympique Marseille: “Është roli i një presidenti të mbrojë vendin e vet. Ju siguroj, nuk ndërhyj në asnjë transferim futbolli. Unë jam si çdo qytetar kur bëhet fjalë për sportin, me dëshirën për të parë një lojë të mirë dhe për të mbështetur një ekip, në këtë rast Olympique Marseille.

Po, kam pasur një diskutim me Kylian Mbappé në rrjedhën e konsultimeve të tij për të zgjedhur të ardhmen, konkretisht për të vazhduar me PSG (deri në vitin 2025). Thjesht e kam këshilluar që të qëndrojë në Francë. Kur pyetet në mënyrë joformale dhe miqësore, është roli i një presidenti të mbrojë vendin”.

Presidenti i Republikës iu është rikthyer edhe incidenteve në “Stade de France” të një jave më parë në kuadër të finales së Champions League, Real Madrid-Liverpool (1-0). Pyetjes se çfarë reagimi ka ndaj imazheve të fëmijëve të spërkatur me gaz lotsjellës, ai tha se ishte “i indinjuar”, përpara se të kërkonte dëmshpërblim për “familjet e trazuara” dhe “transparencë në hetimet e gjithçkaje që ndodhi”:

“Unë, si të gjithë, isha i indinjuar nga çrregullimi në të gjitha format e tij dhe nga ajo që pamë. Unë jam i lidhur me rendin dhe qetësinë, kam një mendim për familjet që janë lënduar, që nuk kanë mundur të hyjnë në vendet për të cilat kishin paguar biletë.

Kjo është arsyeja pse do të doja që t’i kompensojmë ata sa më shpejt të jetë e mundur. Dua edhe transparencë. I kërkova qeverisë të sqarojë se çfarë ka ndodhur, të përcaktojë përgjegjësitë dhe t’i shpjegojë ato në detaje për bashkatdhetarët tanë, për britanikët dhe spanjollët.”

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb