TIRANE-Kandidatët për anëtarë në këshillin bashkiak të Tiranës, z. Shezai Rrokaj, Erisa Xhixho, Ana Bici dhe Ira Vejsiu zhvilluan një takim me banorët e Njësisë 1 të kryeqytetit. Në këtë takim kandidati për anëtarë në këshillin bashkiak, Shezai Rrokaj theksoi se Tirana ka nevojë për shumë punësim dhe urbanizimin e duhur të saj.

“Faleminderit të gjithë atyre që janë bashkuar me Lëvizjen Socialiste për Integrim për t’i kthyer Tiranës, atë që i ka munguar, freskinë. Ti kthejmë Tiranës rininë, Tiranën e institucioneve, Tiranën e universiteteve, Tiranën e intelektualëve. Tirana ka nevojë për ndihmën tonë. Ajo ka nevojë për një bashki, ka nevojë për këshilltarët e LSI-së, të cilët do të ngrenë zërin për interesat e qytetarëve që nga Shkoza, deri tek Materniteti, e deri tek Trikotazhi. Tirana ka nevojë për projekte, për rrugë të ndriçuara, për kanalizime, për legalizime dhe ka nevojë për më shumë punësim”, tha Rrokaj.

Në fjalën e tij, Rrokaj vuri në dukje se Lëvizja Socialiste për Integrim shkon përtej sloganeve dhe mbështetet në dy formula: në më shumë shërbime dhe punësim, ndërsa shtoi se qytetarët e Tiranës kanë nevojë për më shumë shkolla dhe gjelbërim.
“Angazhimi ynë është angazhim konkret me qytetarin, larg sloganeve. Kemi vetëm dy formula; më shumë shërbim dhe më shumë punësim. Duam më shumë çerdhe për fëmijët tanë, duam më shumë kopshte për fëmijët tanë, më shumë shkolla për ta, duam më shumë gjelbërim. Ne nuk e meritojmë të kemi një Tiranë të pisët. Ne duam një Tiranë të integruar sepse njësia Nr. 1 tani nuk kufizohet me Shkozën, por shkon në Dajt, shkon në Farkë dhe kthehet në një metropol shumë të madh. Por, çfarë do t’i mbetej kësaj njësie nëse ne do t’i lëmë këto zona të pa legalizuara dhe të pa urbanizuara. Ato do të mbeteshin jashtë saj”, theksoi Rrokaj.

Ai saktësoi se harmonizimi midis pushtetit vendor dhe atij qendror do të bëjë të mundur zhvillimin e kryeqytetit. “Ne sot kemi qeverisjen qendrore dhe do të kemi edhe qeverisjen vendore, falë kontributit të LSI-së, falë kontributit të së majtës evropiane. Në këtë mënyrë ne do të arrijmë të kemi bashkinë. Ne do të votojmë Erion Veliajn, sepse ky është një angazhim politik sepse kjo LSI jo vetëm premton, por vepron dhe vepron falë rinisë, falë energjisë dhe falë intelektualëve.

LSI-ja i përkushtohet rinisë sepse ajo ka bindjen e plotë se rinia është e ardhmja e këtij vendi. Çfarë pasurie mund të kemi ne më shumë sesa kjo pasuri që na jep rinia jonë?! Ne nuk e këmbejmë me asgjë këtë pasuri. Çfarë pasurie mund të kemi ne më shumë sesa gruaja shqiptare, gruaja e njësisë numër 1, gruaja e Tiranës e cila përkushtohet për familjen, e cila përkushtohet për shoqërinë?! Ndaj dhe LSI i kushton më shumë vëmendje rinisë, rinisë që duhet të kualifikohet, rinisë që duhet të ndjekë kurse trajnimi dhe të profilizohet. Gruaja duhet të jetë më shumë sipërmarrëse sepse shoqëria jonë duhet ketë besim tek gruaja, që mban familjen dhe shoqërinë. Ndaj, ne do të shënojmë atë rezultat që ka për të qenë i befasishëm”, përfundoi Shezai Rrokaj.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: