Presidenti Donald Trump thotë se ai dhe zonja e parë, Melania Trump po fillojnë “procesin e karantinimit”, ndërsa presin rezultatin e testit për koronavirusit, pasu një nga këshilltaret e tij kryesore, e cila ka qenë pranë tij shumë herë këtë javë, rezultoi pozitove për COVID-19.

Komentet e Presidentit Trump vijnë pasi ai konfirmoi se Hope Hicks, një nga ndihmëset e tij më të afërta, kishte rezultuar pozitive të enjten. Zonja Hicks kishte filluar të kishte simptoma të lehta gjatë udhëtimit me avion nga një tubim në Minesota në Uashington të mërkurën në mbrëmje, sipas një zyrtari të administratës, i cili foli në kushte anonimiteti për të diskutuar informacione private shëndetësore. Ajo u izolua nga personat e tjerë në avion dhe diagnoza e saj u konfirmua të enjten, tha personi.

Presidenti Trump shkruajti në Twitter të enjten vonë: “Zonja e Parë dhe unë po presim rezultatet e testit. Ndërkohë, ne do të fillojmë procesin e karantinës”.

 

Në një deklaratë, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere tha se “Presidenti e merr shumë seriozisht shëndetin dhe sigurinë e tij dhe të gjithë atyre që punojnë në mbështetje të tij dhe popullit Amerikan”.

 

“Zyra e Operacioneve e Shtëpisë së Bardhë bashkëpunon me Mjekun e Presidentit dhe Zyrën Ushtarake të Shtëpisë së Bardhë për t’u siguruar që të gjitha planet dhe procedurat ndjekin udhëzimet e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve dhe praktikat më të mira për kufizimin e ekspozimit ndaj COVID-19 në masën më të madhe të mundshme si në Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe kur Presidenti udhëton”, tha zoti Deere.

Hope Hicks kishte udhëtuar disa here me presidentin këtë javë, përfshirë me helikopterin presidencial, për një tubim në Minesota të mërkurën dhe në avionin presidencial për në debatin e parë presidencial të së martës.

Hicks, një nga ndihmësit më të besuara të presidentit, më parë ka shërbyer si drejtore e komunikacioneve në Shtëpinë e Bardhë dhe u rikthye në administratë këtë vit përpara zgjedhjeve. Bloomberg News ishte media e pare që njoftoi e para se ajo kishte rezultuar pozitive.

Disa punonjës të Shtëpisë së Bardhë kanë rezultuar pozitivë për virusin, përfshirë sekretaren e shtypit të nënpresidentit Mike Pence, Katie Miller, këshilltarin e sigurisë kombëtare Robert O’Brien dhe një nga asistentët personalë të presidentit.

Pas rasteve të para pozitive pranë presidentit, Shtëpia e Bardhë vendosi një regjim për testim të përditshëm për ndihmësit e lartë të presidentit. Të tjerët që do të jenë pranë presidentit dhe nënpresidentit, përfshirë gazetarët, testohen gjithashtu çdo ditë.

/VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb