Kur interesat e ekonomisë kombëtare preken, kryetari i shtetit, në frymën e Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 11, pika 2 e saj, për mbrojtjen me ligj të pronës private dhe publike, mund të marrë nisma dhe të japë propozime. Parë në këtë këndvështrim, njoftimi i kryetarit të shtetit i dy ditëve më parë, ku i kërkon qeverisë të quajë të pavlefshëm tenderin për projektin publik “Rehabilitimi i Segmentit Rrugor “Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta, rrethrrotullimi ‘Shqiponja’, Bashkia Tiranë”, i njohur tashmë nga të gjithë shqiptarët si tre lotet(pjesë të projektit) që do të shembin qindra shtëpi në zonën e Astirit, duhet vlerësuar. Po pse? Sepse ai hap Kutinë e Pandorës të shkeljeve tejet problematike që paraqet ky tender, në raport me ligjin e Prokurimeve Publike të vendit tonë.

Kuti që qeveria jonë deri tani është treguar e kujdesshme të mos e hapë, por të kundërveprojë vetëm për shkeljen skandal të pranimit në garë dhe të shpalljes fitues të një kompanie gjoja të huaj ndërtimi, me dokumente regjistrimi të falsifikuara. Kur duhej të ngrinte menjëherë një grup pune ose komision të posaçëm verifikimi dhe kontrolli të imtë, për të ardhur me një raport sa më shterues të shkeljeve që janë bërë, sidomos të arsyeve pse janë anashkaluar ose injoruar mjaft procedura ligjore. Ky raport duhej po ashtu të propozonte masa drastike për shkelësit dhe abuzuesit e çdo niveli. Do të ishte një “Mea Culpa(në latinisht, “Faji është imi”) e sinqertë e qeverisë që do të kuptohej dhe vlerësohej nga qytetarët dhe opinioni publik. Qeveria nuk e bëri. Në kushtet e mosveprimit qeveritar, kryetari i shtetit veproi shumë mirë që dha për qytetarët praktikisht një raport alternativ, sipas hulumtimeve të kryera nga stafi i tij.

Nëpërmjet tij kuptojmë trukimin e së njëjtës kompani që në garën e të treja loteve(pjesëve të projektit me vlerë 60 milionë euro) kishte dhënë një ofertë ekonomike zero! Kuptojmë se si mund të nisen punimet e një projekti me interes kombëtar, pa marrë më parë lejen e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit! Pa zhvilluar një konsultim paraprak publik. Se si një studio projektimi private i “dhuron” Autoritetit Rrugor Shqiptar (me kërkesë të këtij të fundit!?) një projekt rrugor “Rehabilitimi i Segmentit Rrugor “Mbikalimi i Pallatit me Shigjeta, rrethrrotullimi ‘Shqiponja’, Bashkia Tiranë”, pa ekzistuar asnjë hapësirë ligjore në ligjin tonë për Prokurimet Publike për “dhurata” të tilla. Dhe ky Autoritet Rrugor Shqiptar mburret se i kurseu Buxhetit të shtetit 50 mijë apo 100 mijë euro projekt me këtë sponsorizim të kërkuar, kur duke e porositur me paratë e Shtetit projektit mund t’i gjendej një zgjidhje teknike për të kursyer disa milionë(në mos dhjetëra të tillë) euro në koston totale. Si zor edhe në Zimbabve(vend i Afrikës me struktura shtetërore tejet të dobëta) një tender kombëtar publik të prodhonte të pabëra edhe më të mëdha!

Kryetari i Shtetit gabon kur kërkon shpërblim me çmim tregu për të gjitha shtëpitë që prishen. Ai ka për detyrë vetëm të mbrojë frymën e Kushtetutës. Dhe për Kushtetutën është e shenjtë e drejta e pronës private dhe publike. “Shenjtëria” nënkupton pikërisht paprekshmërinë e tyre. Ligji i shëmtuar dhe jo-kushtetues i legalizimeve(të bërit të ligjshëm të diçkaje që dikush ka zaptuar me pa të drejtë), i pjellë nga makutëria e partive tona kryesore politike për të siguruar hambar votash(ua fusim 15 mijë pronarëve privatë të ligjshëm dhe favorizojmë 300 mijë zaptues të paligjshëm!) realizon pikërisht këtë. Jo vetëm i prek, por i masakron të drejtat e shenjta të pronës private dhe publike që mbron Kushtetuta. Mbjell vetëm tension social dhe rrit padrejtësitë sociale.

Kryetari i shtetit nuk mund të flasë në frymën e këtij ligji të përbindshëm. Ai duhet të mbrojë Kushtetutën, nenin 11, pika 2 të saj dhe para së gjithash, frymën e Kushtetutës. Kushtetuta nuk është vetëm ligji themeltar i shtetit, por taruesi, garancia e një jete shoqërore pa tensione dhe padrejtësi ekstreme. Një zgjidhje për banorët e Astirit(të gjithë atyre që do t’u prishen shtëpitë) është pagesa pa dallim e tyre e kostos së ndërtimit të shtëpive apo mjediseve të biznesit dhe programe sociale për ata nga banorët që kanë mjete jetese të pakta. Larg kësaj zgjidhjeje të drejtë për të gjithë, kryetari i shtetit nuk mund të propozojë zgjidhje që e shkëpusin nga mbrojtja e Kushtetutës.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: