Kandidatja e Partisë Socialiste në Shkodër, Majlinda Angoni, tha se beson që shkodranët këtë radhë do të “thyejnë pasionin e të djathtës”.

Duke folur për media, Angoni u shpreh se aktualisht procesi i votimit vijon normalisht, përveç dy zonave në Dukagjin, ku nuk ka nisur ende procesi, për shkak të motit të keq, por sipas kandidates socialiste, pritet që nga momenti në momenti edhe aty të nisë votimi.

“Banorë te Shkodrës të marrin pjesë në votime për të shprehur votën e tyre të drejtë kushtetuese, që ua garanton ligji. Të kemi votim sa më të qetë dhe të japim mesazhe se Shkodra është e kulturës dhe e paqes. Siç ka qenë gjithë fushata, duhet të jetë dhe përmbyllja e rezultatit final të kësaj fushate”, tha Angoni.

Pyetje: Mendoni se do ta thyeni bastionin e të djathtëve?
Mendoj se po, këtë herë po.

Pyetje: Nga të dhënat që keni, si është pjesëmarrja?
Deri tani pjesëmarrja është relativisht mirë, ka filluar me lëvizë. E rëndësishme është se nuk kemi informacion për avari apo mosfunksionim të qendrave të votimit.

Pyetje: Në Dukagjin ka probleme, në dy zona nuk ka nisur ende procesi. A keni komunikuar me komisionerët atje dhe çfarë do të ndodhë, nëse nuk hapet votimi?
Ne po bëjmë të pamundurën që të hapen qendrat e votimit. Puna ka nisur që mbrëmë dhe tani që po flasim, procesi po ecën, dhe nga momenti në moment shpresojmë të marrë drejtimin e duhur. Unë dëshiroj që pjesëmarrja në këto zgjedhje të jetë sa më e madhe, që të gjithë të shprehin vullnetin e tyre. Është e drejtë kushtetuese që duhet medoemos ta shfrytëzojë cdo qytetar. Mendoj se ora e ndryshimit ka ardhur.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb