TIRANË

Ish-deputeti Spartak Braho ka folur sot në News24 edhe për reformën në drejtësi. Ai deklaroi se këtë vend e shpëton vetëm Drejtësia nëse bën punën e saj.

“Rama nuk e jep dorëheqjen, këtë vend e shpëton vetëm Drejtësia nëse bën punën e saj. Si e majta, si e djathta duhet të heqin dorë nga SPAK. Këtu kam parasysh një riorganizim për të hetuar këtë skandal. Duhet të përfshihen SHISH, Prokuroria e Posaçme, Krimi Ekonomik dhe të hetohen këto skandale”, u shpreh Braho.

Ish-deputeti tha më tej se ka besim se do të ecë, pasi për të është e interesuar komuniteti ndërkombëtar, por vuri në dukje mangësitë. Ai tha se mund të ishte pasur më shumë kujdes, veçanërisht në metodologjinë e aplikimit të saj sepse ka mungesa, madje sipas tij Prokuroria sot nuk ka as letër.

“Reforma në drejtësi, mund të ishte pasur më shumë kujdes, veçanërisht në metodologjinë e aplikimit të saj, mund të kishte filluar ndryshe, spastrimet, kundër korporatës kriminale të gjyqësorit apo prokurorëve të korruptuar për të mos lejuar këtë problematikë. Megjithatë kam besim të fortë që reforma do të ecë sepse për atë është e interesuar komuniteti ndërkombëtar, SHBA-të dhe struktura të tjera të Europës. Ka filluar, unë kam durim sepse e njoh mirë drejtësinë dhe psikologjinë e drejtësisë. Është detyra kryesore e shtetit që të angazhohet për të mbrojtur gjyqtarët dhe prokurorët. Të plotësojnë kushtet. Prokuroria sot nuk ka letër, se s’ka fonde, por edhe kuadri mungon, nuk është e plotësuar. Prokuroria e përgjithshme është me mungesa dhe këto strukturat e tjera të krimit ekonomik dhe SHISH-it janë me mungesa, por kam besim se do të ecë”, tha Braho.

Lidhur me hartën e re gjyqësore, ai u shpreh kundër, duke e cilësuar të keqe.

“Reforma që ka të bëjë me hartën e re të gjyqësorit është e keqe, nuk është pozitive. E para nuk kaloi në procesin e konsultimit të gjerë. E para nuk e ka firmosur Ministria e Financave.

Ky komuniteti i avokatëve nuk duhet injoruar, komuniteti i noterëve, institucionet përkatëse të drejtësisë nuk janë pyetur. Ajo që është më kryesorja, në Kushtetutë thuhet shprehimisht, shteti garanton të drejtat dhe detyrimet ndaj shtetasve të tij, ndaj qytetarëve. Nuk e di si është menduar, por të kesh një gjykatë apeli dhe ta ndjekë fshatari nga Kolonja apo nga Saranda një gjyq në Apelin e Tiranës është mbrapsht fare”, u shpreh Braho.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb