Për festa është bërë traditë që të bëhen dhurata për personat më të dashur, por diçka e tillë bëhet edhe më prezente në festat e fundvitit. Me fillimin e muajit dhjetor nisim të bëjmë edhe listat e dhuratave, por jo gjithmonë arrijmë të gjejmë ato të duhurat.

Zgjedhja e një dhurate bëhet edhe më e vështirë, kur e kemi për një person special.

Gjithmonë na është sugjeruar se çfarë mund të dhurojmë, por ama këtë herë po publikojmë disa aksesorë, apo veshje, të cilat nuk është e këshillueshme të bëhen pë festat e fundvitit.

Parfumi
Përveç se është një ndër dhuratat më të shpeshta, shpesh herë ai mund të keqkuptohet. Kush e merr, mund të mendojë se parfumi i tjetrit nuk është aq i mirë. Nëse tashmë e keni vendosur që të dhuroni një të tillë, sigurohuni që t’i dini mirë preferencat e personit që do ta marrë atë.

Shalli ose kravata
Janë dhuratat më të zakonshme dhe mbajnë vendin e parë për “banalitetin”, nëse do ta quanim kështu, sipas “bordo”. Pothuajse të gjithë pa përjashtim kemi dhuruar dhe kemi marrë një dhuratë të tillë dhe për këtë fakt, ato janë kthyer në dhurata klishe.

Qirinjtë
Qirinjtë, edhe pse gjatë festave janë shumë të pranishëm, nuk janë një dhuratë e bukur apo e vlerësuar nga të gjithë. Për disa mund të jetë një dhuratë tepër e rafinuar dhe për disa të tjerë diçka shumë qesharake dhe e paktë.

Portofoli
Portofoli është një objekt shumë personal, edhe pse në përshtypje të parë nuk duket kështu. Në të, çdokush mban gjëra personale dhe zgjedhja e tij është shumë e vështirë për t’ia dhuruar tjetrit.

Një pajisje elektroshtëpiake
Kjo do të ishte një dhuratë shumë e kotë në kuptimin e vërtetë të fjalës, nëse gjyshja, nëna, vjehrra etj., kanë shumë të tilla e nuk kanë nevojë për ndonjë në veçanti. Akoma më keq do të ishte, nëse do t’ia dhuronit një feministeje, e cila do ta shihte si një ofendim ndaj pavarësisë së saj si grua.

Një film në DVD
Sot, me zhvillimin e teknologjisë, pothuajse të gjithë mund të shohin filmin më të fundit në saj të faqeve të ndryshme në internet. Ndaj të dhurosh një DVD është e kotë.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb