Kreu i Partisë Bindja Demokratike, Astrit Patozi, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24”, ka komentuar incidentin e ndodhur sot në një zyrë elektorale të një partie politike në Kavajë.
Patozi thekson se ngjarja në Kavajë është dramatike, duke shtuar se presidenti në reagim duhet të ishte më i ekuilibruar. Ai shtoi se këto zgjedhje do i përcaktojnë shqiptarët e mërzitur.

“Do doja të ishte dukuri sporadike dhe jo trysni politike që po preson mbi 25 prillin. Ngjarja është e rëndë dhe duhet një distancim i fortë, që erdhi nga Edi Rama. Si distancim është i paqortueshëm. Në lidhje me ngjarjen në Kavajë, presidenti nuk mund të qajë më shumë se Basha, që i ka ndodhur gjithçka në shtëpi. Presidenti duket nervoz e nuk reflekton entuziazmin e opozitës. Në këtë ngjarje dramatike, roli i presidentit duhet të ishte më ekuilibrues. Janë konflikte artificiale, sepse të njëjtit bëjnë flirtin. Këto zgjedhje do i përcaktojnë shqiptarët e mërzitur”, tha Patozi.

Astrit Patozi nënvizon se qeveria aktuale i ka mbushur ditët e veta dhe duhet të largohet. Ai dha arsyet pse shqiptarët duhet të votojnë BD-në.

“Sondazhet në Shqipëri trukohen. Partitë kryesore sponsorizojnë sondazhet, që të mbajnë optimist elektoratin. Shqipëria është lodhur me të trija partitë. Këta parti tentojnë të mbajnë një sistem, që është kthyer si sulltanat. Duam që të ftojmë shqiptarët e ndershëm, që të votojnë për ne. Emri im lidhet padrejtësisht me PD-në, sepse kam dhënë kontribut për atë parti e tashmë ka vjet që nuk kam lidhje me atë parti.

Astrit Patozi duhet të gjykohet për idetë e tij. Kjo qeveri i ka mbushur ditët e veta dhe duhet të largohet. Ky vend duhet të jetë më i drejtë, që të mos ikim si sirianët. Nuk më mjafton ikja e Ramës, dua të kem garanci që edhe tjetri nuk bën të njëjtën gjë”, u shpreh Patozi.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb