TIRANË

Ish-kryeministri Sali Berisha ka replikuar me kreun e grupit parlamentar të PS Taulant Balla, ndonëse siç tha ai është kohë e humbur t’i përgjigjesh një njeriu të dënuar për shpifje. Berisha tha se për 8 vite nga 2005 deri në 2013 në Tropojë janë ndërtuar 280 km rrugë dhe se sot Tropoja është 3 orë larg nga 8-10 më parë.

“Së pari t’i përgjigjesh një njeriu që është dënuar periodikisht për shpifje nga gjykata është kohë e humbur, por në respekt të qytetarëve shqiptarë që më dëgjojnë ju them se në vitet 2005-2013 janë ndërtuar në Tropojë, vetëm në Tropojë 280 km rrugë nga Lekbibaj në Qafë të Morinës, nga Ballabani, Kërrnaja në Qafë të Malit, nga Bajram Curri, në Golaj. Duhet të jesh një shpifës ordiner që të flasësh në këtë mënyrë dhe mbi të gjitha Tropoja, e cila ishte 8-10 orë larg Tiranës, sot është 3 orë-3 orë e gjysmë. Nuk ia vlen të harxhosh asnjë sekondë me një njeri që ka 10 mbiemra për shkak të grupeve me të cilat është i lidhur”, tha Berisha.

Nuk ka munguar dhe një akuzë për ministret.

“Për sa i përket Edi Ramës, në fakt dije mirë kudo që të shkojë, shkon si kreu i meduzës. Koha është e pamëshirë, koha do të provojë se ai është shumëfishi i Tahirit dhe i të gjithë Tahirëve që janë pas meje, përfshirë dhe zonjat që nuk janë pa mëkate në drejtim të korrupsionit, jo në drejtime të tjera”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb