Edhe pse sipas kryeministrit Edi Rama 61% e qytetarëve në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar ishin shprehur pro legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore, shumica e qytetarëve të intervistuar nga News24 janë skeptikë për këtë nismë të qeverisë dhe shprehen kundër.

Sipas tyre legalizimi i kanabisit, qoftë edhe për qëllime mjekësore, i hap rrugë kultivimit të paligjshëm të tij. Sipas qytetarëve në këtë mënyrë do pasurohen disa njerëz ndërsa të rinjtë do të dëmtohen.

“S’kemi qenë dakord asnjëherë. Arsyet dihen se duke legalizuar kanabisin këtu do bëhet nami. Mjekësor i thonë, se ç’do bëhet më mbrapa…”.
“Për mua mos të legalizohet”. “S’jam dakord, jo”. “Jo! Ai kanabisi efektin e vet si me mjekësi, si pa mjekësi do e bëjë të vetën. Unë nuk jam specialist i këtyre punëve por unë nuk jam dakord. Kanabisi ka pasojat e veta derisa e gjithë bota e kritikon”.

“E ka pasur legalizuar ai që kur erdhi në pushtet. Është vendi numër 1 në botë për drogë Shqipëria. Kanabis mjekësor kurativ? Ajo është e njëjta gjë nuk ka asnjë ndryshim”.

“Në qoftë se ne e lëmë të lirë që edhe tani e kemi të zhvilluar edhe pse nuk është deklaruar do shkatërrohen gjërat dhe më keq. Gjithmonë kanabis është edhe ai mjekësori”.
“Unë s’jam dakord. Për të rinjtë për çfarë arsye për çfarë duhet ajo?”.

“Është komplet gënjeshtër sepse të jetë për kanabis mjekësor e kishte bërë që në 97 është vetëm për të mbledh para”.
“Absolutisht jo sepse është kanabizuar njëherë Shqipëria, do të bëjmë një kanabizim tjetër. Nuk ka qeveria e Edi Ramës për të kontrolluar kanabisim, ne po e shikojmë që nga Lazarati që doli jashtë kontrollit”.

“Do pasurohen disa, ata që janë të zotë me lujt drogën. Atëhere lejoje të gjithë fshatin të mbjellë drogë. Këtu akoma nuk kanalizohen ashtu siç duhet”.
Qytetarët që shprehen kundër, janë skeptikë edhe për sugjerimin e kryeministrit se një nismë e tillë do të rrisë ekonominë e vendit dhe do hape vende pune.

“Ai s’po siguron punë për gjysmën e popullsisë që ka ngelur në Shqipëri do sigurojë punë me kanabis”. “Asnjëherë në botë, janë të gjitha gënjeshtra”.
Asnjë nga të pyeturit nuk e kishte plotësuar formularin e këshillimit kombëtar. Ata thonë se formulari nuk iu mbërriti në banesë dhe nuk duan ta plotësojnë.
“Jo, jo edhe sikur 100 fletë të më vijnë nuk e plotësoj”.

“Jo, jo nuk më duket e arsyeshme sepse nuk shikoj që të jetë në formën e një referendum. Kjo është si mendon qeveria si mendon vetë ai”.
“Jo sepse nuk ia vlen të plotësohet janë pyetjet më idiote që mund të ekzistojnë”.

“Jo, nuk kemi për çfarë e duam”. “Jo sepse nuk më ka ardhur”. “Jo, nuk më ka ardhur”.
Më të paktë ishin qytetarët që e mbështesin idenë e legalizimit të kanabisit për qëllime mjekësore. Sipas tyre kjo është një nismë që do t’i shërbejë popullit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb