Në fjalën e tij nga Sheshi “Skënderbej”, kryeministri Edi Rama dha dhe një mesazh prekës për të ndjerin Bashkim Fino, që humbi jetën gjatë fushatës elektorale nga koronavirusi.

Mes të tjerash, teksa foli për ndasitë e politikës, Rama tha se ky është fiks momenti për t’i shtrirë dorën PD-së, në mënyrë që mandati i tretë t’i kushtohet bashkimit dhe jo ndasive e sherreve.

“Këtu sot mungon dikush që punoi për këtë fitore, miku i shtrenjtë, Bashkim Fino. E imagjinoj këtu bashkë me ne, duke festuar për fitoren tonë të mrekullueshme. Por, u desh të ikte nga kjo botë, Bashkimi ynë i dashur, që të gjithë të bashkoheshin e të kujtoheshin se vdiq një shqiptar i mirë. Mallkimi i së shkuarës nuk na ka lejuar kurrë që në skenën e politikës të jemi bashkë në të gjallë.

Vetëm në ditët e zeza kemi mundur të mendojmë se nëna nuk na ka bërë për t’u bërë ujq për njëri-tjetrin. Ndasia tjetër është ajo që duket edhe sot në hartën elektorale. Mjafton të dallosh ngjyrat, një ndasi e kuptueshme për Shqipërinë e lëngatave. Kjo është fiks ora për t’ia shtrirë dorën PD, duke e bërë të qartë se mandatin e tretë duam t’ia kushtojmë bashkimit, jo ndasive, punëve, jo sherreve. Politika na ka ndarë, politika mund të na bashkojë, sepse politika është e vetmja në tokë, që di t’i bëjë të dyja.

Që njerëzit e dalë nga pylli të mos hanë njëri-tjetrin, por të bëjnë gjëra që të vetmuar nuk i bëjnë dot. Edhe Shqipërinë, në majën ku Zoti e deshi kur e krijoi, politika e ka penguar të ngjitet dhe politika mund ta cojë. Prandaj, le të përpiqemi ta vëmë politikën më shumë se asnjëherë më parë në dispozicion të Shqipërisë, të amanetit të rilindësve dhe heronjve tanë, të borxhit që u kemi fëmijëve tanë. Shqipëria është shumë e vogël për të mos u bërë dot ajo që meritojnë shqiptarët. Shqipëria bëhet dhe do ta bëjmë ne, shqiptarët e kësaj dekade. Do të rinisim punën që nesër me një vrull të ri, nga shërimi i plotë dhe i shpejtë i krejt plagëve të tërmetit dhe shporrja e armikut të padukshëm, ta luftojmë me një ambicie të re armikun brenda vetes, që na tërheq në rrugën e ndasisë e të sherrit. Shqipëria fitoi më 25 prill, tani është radha jonë të fitojmë cdo ditë për Shqipërinë e të gjithë shqiptarëve. Zoti qoftë i duruar me ne dhe ne të duruar me njëri-tjetrin. Rroftë PS, rroftë i madh e i vogël që ka lindur shqiptar. Rroftë Shqipëria! “, tha Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb