Gazetari Erjon Skëndaj tha në një lidhje live për “News24” nga Spitali Infektiv se qendrat e konsultave vijojnë të jenë të bllokuara, duke sorollatur qytetarët.

“Qendrat e konsultave në QSUT janë të bllokuara prej më shumë se dy muajsh. Aty priten vetëm rastet që janë urgjencë për operacion. Pjesa tjetër që mund të marrin konsultë janë të sëmurë kronikë”, tha Skëndaj.

Ndërkohë, gazetari ka pyetur dhe qytetarë, të cilët janë ankuar se nuk po marrin dot shërbimin, ndonëse vijnë nga qytetet e tjera.

Duke folur për kamerën e “News24”, një qytetare tha se ka ardhur nga Lezha për të bërë një konsultë, pasi ka kriza në veshka, por mjekët i thonë të shkojë sa te Spitali Ushtarak, sa tek Urgjenca, pasi konsultat nuk kanë rifilluar akoma.

“Erdhëm, por nuk mbaruam punë, sepse thotë doktoresha nuk kanë filluar konsultat. Nuk të japin asnjë rrugëzgjidhje, njëherë thotë shko te Spitali Ushtarak, pastaj tek Urgjenca, por letrat i kam për konsultë. Sot jemi lodhur kot dhe një fëmijë të sëmurë e kam lënë në shtëpi vetëm, që pret për ta ushqyer unë. Këtu janë të gjithë për të mbushur xhepat e vet. Me planifikim ka qenë për të mbaruar sot punë, se kam kriza në veshka, por më sorollasin kot”, shprehet qytetarja.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb