PRISHTINË-Në kampin Villaggio Italia në Pejë, janë zhvilluar sot bisedime të nivelit të lartë mes komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Guglielmo Luigi Miglietta dhe shefit të Forcave të Armatosura të Republikës së Malit të Zi, admiralit Dragan Samarxhiç.

Oficerët e nivelit të lartë diskutuan për situatën e përgjithshme në Kosovë dhe zhvillimet e fundit në situatën aktuale të sigurisë në Ballkan, thekson njoftimi i dërguar nga KFOR. Admirali Samarxhiç theksoi rëndësinë e pranisë së KFOR-it në Kosovë dhe aftësinë e KFOR-it për të punuar pozitivisht me aktorët kryesorë në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit.

“KFOR-i mbetet i përkushtuar për të mbajtur një ambient të qetë dhe të sigurtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë banorët e Kosovës”, ka thënë gjenerali Miglietta. Ai gjithashtu theksoi se mandati i KFOR-it, ashtu si fuqia dhe qasja e tij mbeten të pandryshuara, dhe çdo ndryshim në pozitën e forcave të KFOR-it në të ardhmen do të bazohet në analiza të kujdesshme të kushteve në terren.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan për rëndësinë e vazhdimit të dialogut dhe bashkëpunimit me të gjitha palët e interesuara në nivel rajonal ballkanik. Këto takime janë pjesë e bisedimeve të nivelit të lartë brenda axhendës së Komandantit të KFOR-it.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: