Ina Rama, Genti Ibrahimi dhe Sokol Berberi, 3 kandidaturat e paraqitura nga qeveria për një post në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut janë rrëzuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës. Arsyeja e këtij vendimi nuk është bërë ende e ditur, por nisur nga praktika dhe precedentët e mëparshëm, KiE mund t’i rrëzojë kandidaturat për dy arsye: procedurat e brendshme të përzgjedhjes së tre kandidaturave nuk kanë qenë të ndershme dhe transparente; kandidaturat nuk plotësojnë aftësitë profesionale apo të integritetit.

Tre kandidatët e propozuar nga qeveria, Genti Ibrahimi, Sokol Berberi dhe Ina Rama, kanë udhëtuar në Paris për t’u intervistuar nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, por janë informuar se asnjëri prej tyre nuk është i pranueshëm dhe nuk do të intervistohet fare.

Burime nga qeveria pohuan për News24 se tre kandidatëve nuk iu është dhënë arsye përse nuk janë intervistuar sot. Në të njëjtën kohë bëhet e ditur se Qeverisë i është kërkuar të dërgojë tre kandidatura të tjera.

PËRZGJEDHJA
Qeveria shqiptare përzgjodhi pak javë më parë tre kandidatët për postin e anëtarit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Komisioni përzgjedhës i përbërë nga konstitucionalistë dhe ekspertëve ligjorë ka vendosur të përzgjedhë kandidaturën e Sokol Berberit, aktualisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ish-kryeprokurores Ina Rama, si dhe ekspertit të Reformës në Drejtësi, Gent Ibrahimi.

Nga tre emrat e propozuar nga qeveria shqiptare do të përzgjidhej një kandidat, i cili do të zëvendësojë gjyqtarin aktual shqiptar, Ledi Bianku. Gjyqtarët shqiptarë që emërohen në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut shqyrtojnë kryesisht ankimimet e qytetarëve shqiptarë, që kërkojnë të drejtën e tyre për çështjet pronësie, pasi iu është mohuar e drejta në shkallët e gjyqësorit vendës.

KANDIDATËT
Këshilli i Europës ftoi qeverinë shqiptare që të paraqesë brenda datës 26 gusht, 3 kandidatura për postin e anëtarit të Gjykatës së Strasburgut, pasi më 31 janar të vitit 2017 përfundon mandati i gjyqtarit të vetëm që ka Shqipëria në GJEDNJ.

Seleksionimi i tyre është bërë nga komisioni i ekspertëve, i kryesuar nga konstitucionalisti, Luan Omari dhe nga anëtarët Kristaq Traja, ish-anëtar i Gjykatës së Strasburgut, Bashkim Dedja, ish-­anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Hoxha, drejtor të departamentit të Antikorrupsionit në Kryeministri, Artur Metani.

Kandidatët e përzgjedhur kanë plotësuar disa nga kërkesat e ligjit të dekriminalizimit, duke plotësuar formularët e vetëdeklarimit. Ndërkohë që ky proces është shoqëruar dhe me një proces vetingu të pasurive. Secili nga kandidatët është verifikuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe në përfundim të procesit, komisioni ka përzgjedhur Ina Ramën, Sokol Berberin dhe Gent Ibrahim. Për këtë post në fazën e dytë janë paraqitur vetëm 6 kandidatë, nga 11 që aplikuan në fillim. Komisioni nuk skualifikoi asnjë nga garuesit, por vlerësoi se kushtet për të qenë kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Strasburgut i plotësonin tre kandidatët e përzgjedhur.

Për këtë garë aplikoi dhe Xhezair Zaganjori, aktualisht kryetari i Gjykatës së Lartë. Altina Xhoxhaj, anëtare e Gjykatës Kushtetuese, Darilel Sina, ekspert ligjor, Elira Kokona, sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës. Po ashtu aplikoi dhe Plarent Ndreca, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit, Sokol Puto, avokat për çështjet e Strasburgut, Ledia Mirakaj dhe Ornela Rrumbullaku, eksperte ligjore.

PROCESI
Secili nga 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës ka të drejtën të emërojë një gjykatës në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Procesi i përzgjedhjes së tyre përfshin dy hapa: fillimisht vendet anëtare përzgjedhin dhe i propozojnë Këshillit të Evropës një listë me tre kandidatë. Pastaj Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës zgjedh prej tyre gjykatësin përkatës. Procesi i përzgjedhjes përfshin intervistimin e kandidatëve nga përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare.

Krahas Shqipërisë, KiE ka rrëzuar këtë vit dy herë listën e Azerbajxhanit për zgjedhjen e gjykatësit që do zëvendësojë gjykatësin e tanishëm azerbajxhanas. Më parë, gjatë dekadës së fundit, janë rrëzuar nga një herë listat e Sllovenisë, Turqisë dhe Bullgarisë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb