Këshilli i Europës i kërkoi sot Greqisë të merrte masa urgjente përballë një situate të rëndë në kampet e imigrantëve në ishujt e Detit Egje dhe kritikoi një ligj të kontestuar për të drejtën e azilit, para votimit në Parlament.

Në përfundim të një vizite pesë ditore në kampet e Lesbos dhe Samos, më të mbipopulluarat e ishujve të Detit Egje, komisionerja për të drejtat e njeriut të Këshillit të Europës, Dunja Mijatovic u shpreh e tronditur nga kushtet e tmerrshme higjenike në të cilat jetojnë azilkërkuesit.

“Imazhi është tronditës për Europën e shekullit XXI”, theksoi ajo në një konferencë shtypi, disa orë para votimit në Parlament të një projektligji që parashikon ashpërsimin e procedurës së azilit.

“Situata e imigrantëve, duke përfshirë azilkërkuesit, në ishujt grekë është tronditëse dhe në prag të katastrofës”, nënvizoi ajo.

Më shumë se 34 000 persona jetojnë në kampet e pesë ishujve grekë që kanë një kapacitet prej 6 300 personash.

Komisionerja kërkoi masa urgjente për t’i bërë ballë kushteve shumë të këqija, në të cilat jetojnë mijëra jetë njerëzore.//ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb