Kievi u godit mbrëmjen e djeshme nga dronët rusë, ku 9 persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
Përpara se Rusia të niste sulmet, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, akuzoi Volodymyr Zelensky-n për dëmtim të negociatave të paqes.
Pasi presidenti ukrainas tha se Kievi nuk do të njihte kontrollin rus të Krimesë, Trump tha se kushti ishte “shumë i dëmshëm” për bisedimet e paqes.
“Askush nuk po i kërkon Zelenskyt të njohë Krimenë si territor rus, por nëse ai dëshironte Krimenë, pse ata nuk luftuan për të njëmbëdhjetë vjet më parë? Unë nuk kam të bëj fare me Rusinë, por kam shumë të bëj me dëshirën për të shpëtuar, mesatarisht, pesë mijë ushtarë rusë dhe ukrainas në javë, të cilët po vdesin pa asnjë arsye. Deklarata e bërë sot nga Zelenskyy nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të zgjasë “fushën e vrasjes” dhe askush nuk e dëshiron këtë! Jemi shumë afër një marrëveshjeje, por njeriu që “nuk ka letra për të luajtur” tani, më në fund, duhet ta bëjë atë”, ka shkruar Trump.
I pyetur nga gazetarët në Shtëpinë e Bardhë nëse administrata po kërkonte të njihte sovranitetin e Rusisë mbi Krimenë, Trump tha se ai thjesht donte të shihte fundin e luftës.
Ai gjithashtu tha në Zyrën Ovale të mërkurën në mbrëmje se e kishte më të lehtë të merrej me Rusinë në krahasim me Ukrainën.
Më parë, Zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance paraqiti vizionin e SHBA-së për një marrëveshje, duke thënë se Ukraina dhe Rusia do të duhet të heqin dorë nga një pjesë e territorit që zotërojnë aktualisht.