Një kolonë tymi rreth 6 kilometra e lartë u ngrit nga vullkani Lascar në Kili, jo shumë larg shkretëtirës Atacama, duke nxitur autoritetet të lëshojnë një alarm, të ngritur në orët e fundit nga jeshile në të verdhë.

Këtë e raporton BBC. Vullkani, i vendosur në Ande, është ‘zgjuar’ dje, duke shkaktuar një aktivitet të butë sizmik. Deri më tani nuk raportohet për dëme në zonën përreth, por sipas ekspertëve situata është ‘e paqëndrueshme’.

Banorët e Talabre, në provincën e Antofagasta, një qytet i vogël më pak se 12 kilometra larg vullkanit, vunë re rreth mesditës sipas orës lokale një re gjigante tymi, e përbërë nga hiri vullkanik dhe gazrat e nxehtë, që ngriheshin nga krateri. Në një rreze prej 5 kilometrash lëvizja ishte e ndaluar.

Lascar, në veri të vendit, ndodhet 70 kilometra nga San Pedro de Atacama, një destinacion popullor turistik për ecje dhe vizita në shkretëtirën Atacama, vendi më i thatë në Tokë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb