Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim deklaroi sot se, marrëdhënia midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është me të vërtetë diçka e veçantë.

Në një konferencë për 100-vjetorin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe SHBA-së, Kim u shpreh se, “një nga gjërat që ka qenë vërtetë për t’u shënuar dhe e mrekullueshme me faktin e të qenurit ambasadorja amerikane në Shqipëri është të zbuloj se pavarësisht se çfarë debatesh apo mosmarrëveshjesh mund të kemi, të cilat ndajnë vendin ka një gjë e cila bashkon çdo shqiptar, nga veriu në jug, nga e majta në të djathtë, nga 1-vjeçarët në 100-vjeçarët dhe kjo është që marrëdhënia midis amerikanëve dhe shqiptarëve, midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është me të vërtetë diçka e veçantë. Dhe është diçka që duhet ruajtur si thesar dhe duhet të rritet”.

“Jam vërtet i kënaqur që jam këtu për këtë diskutim. Shumë nga aktivitetet e këtij viti kanë qenë tradicionalisht festive sepse po shënojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis vendeve tona, që kur presidenti Woodrow Wilson ofroi mbështetjen e Amerikës për shtetin e ri shqiptar”, tha Kim.

“Ne kemi festuar trajektoren tonë në 10-vjeçarët e fundit, ndërsa jemi afruar më shumë si aleatë të NATO-s, si anëtarë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe partnerë që kontribuojnë në sigurinë evropiane dhe duke iu përgjigjur krizave humanitare anë e mbanë botës”, shtoi Kim.

Por, theksoi ambasadorja e SHBA, “historia jonë, siç e dini më mirë se kushdo tjetër është unike. Ne po shënojmë 100 vjet që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike dhe ky shekull përfshin periudha të gjata largësie dhe vështirësish duke filluar me pushtimin fashist që ndërpreu lidhjet tona në qershor të vitit 1939, në fillim të Luftë së Dytë Botërore, në shtator të atij viti legata amerikane, e njëjta ndërtesë e bukur e verdhë e ambasadës tonë sot dhe që kishte qenë shtëpia e diplomatëve amerikanë që nga viti 1924, u mbyll. Kolegët tanë shqiptarë u detyruan të gjejnë një punë gjetkë dhe diplomatët amerikanë u larguan. Ne u përpoqëm të lidheshim përsëri në vitin 1945, por pa sukses dhe për fat të keq me tragjedi”.

“Pas luftës Uashingtoni dërgoi në Tiranë një mision vëzhgues amerikan, jo zyrtar, për të shqyrtuar mundësinë e rifillimit të marrëdhënieve, por regjimi komunist mundoi anëtarët e misionit duke torturuar dhe vrarë Loni Adamin dhe Kol Kuqalin, dy punonjës shqiptarë për një kohë të gjatë të ambasadës amerikane”, u shpreh Kim.

“Në ambasadën tonë sot, flamuri ynë i SHBA, valëvitet ngjitur me dy përmendore prej guri në kujtim të Lonit dhe Kolës. Ne nuk do t’i harrojmë kurrë dhe nuk duhet t’i harrojmë kurrë. Regjimi i Hoxhës mbylli vendin dhe u përpoq të helmonte miqësinë mes shqiptarëve dhe amerikanëve. Ishte përnjëmend një kohë e errët, por populli shqiptar nuk harroi kurrë se kishte një mik shumë larg dhe populli amerikan nuk harroi kurrë që ne kishim një mik këtu”, tha Kim.

“Në vitin 1991 pati një fillim të ri. Edhe pse kam parë me mijëra herë fotografi, ende më prekin shumë fotot e 300 mijë shqiptarëve që u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të thënë që ju jeni me ne dhe ne jemi me ju, për të dëgjuar Sekretarin e Shtetit Baker të thoshte se “liria funksionon””, nënvizoi Kim.

“Sot këto mesazhe mbeten po aq me vlerë dhe të rëndësishme. Sepse 31 vite pas rënies së komunizmit ende mbetet shumë për t’u bërë. Mendoni sesa shumë kemi përparuar në marrëdhënien tonë. Sa shumë kemi përparuar si amerikanë dhe në rrugën që kemi përpara”, theksoi Kim.

“E kam thënë këtë në shumë herë të ndryshme, në mjedise të ndryshme. Në vitin 1991 nuk besoj që ndonjë këtu mund ta kishte parashikuar që Shqipëria do të ishte në anëtare e fortë e NATO-s, që Shqipëria do të kishte qenë kryetarja në detyrë për OSBE-në. Që Shqipëria do të ishte ulur ngjitur me SHBA, Francën, Kinën, Mbretërinë e Bashkuar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Që Shqipëria do të kishte nisur negociatat për t’u anëtarësuar në BE. Nuk mendoj se kjo do të ishte paramenduar në 1991”, tha Kim.

Ambasadorja e SHBA u shpreh se, “kjo kërkoi një punë shumë të madhe, një sakrificë shumë të madhe nga populli shqiptar po dhe nga qeveritë shqiptare. Dhe jemi këtu në një pikë ku është koha sërish për të marrë një vendim për të ardhmen e Shqipërisë, për të thënë sërish që ne jemi me ju dhe ju jeni me ne. Për të thënë që “demokracia funksionon””.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: