Kina dhe Azia Juglindore do të mirëpresin sot Vitin e Ri Hënor, një festë që përfshin koncerte në sheshet dhe rrugët e qyteteve dhe darka familjare.

Banorët e qyteteve të mëdha kineze, duke përfshirë Pekinin dhe Shangain, kanë planifikuar të kalojnë një festë më të qetë krahasuar me atë të vitit të kaluar, pasi autoritetet vendosën të ndalojnë përdorimin e fishekzjarreve mes shqetësimeve për ndotjen dhe sigurinë në vend.

Sipas traditës kineze, fishekzjarret ndihmojnë për të trembur përbindëshin e vitit të kaluar, “guonian”, dhe për të sjellë fat gjatë vitit të ri.

Vendimi për ndalimin e përdorimit të tyre nuk u mirëprit nga një pjesë e kinezëve.
“Shumë banorë të Pekinit, sidomos mosha e tretë, e kanë kundërshtuar këtë vendim”, tha Ma, një sipërmarrës 37-vjeçar, duke shtuar se vjehrri i tij po mendonte t’i ndizte fishekzjarret në fshehtësi për të parë nëse do të merreshin masa të rrepta për shkelje të këtij vendimi.

Megjithatë, pasditja e sotme, në qendër të Pekinit ishte krejtësisht e qetë, ndryshe nga vitet e mëparshme, kur fishekzjarret dëgjoheshin ditë e natë gjatë gjithë javës, shkruan atsh.

Sipas shenjave të zodiakut kinez, viti 2018 do të jetë Viti i Qenit të Tokës, pas Vitit të Gjelit të Zjarrit në vitin 2017.

Qeni i Tokës nënkupton konservatorizmin dhe tregtarët e fatit dhe fatkeqësitë natyrore dhe konfliktet ndërkombëtare.

Viti i Ri Hënor është një nga festat më të rëndësishme në Kinë dhe qindra miliona persona udhëtojnë për ta festuar me familjarët e tyre, i konsideruar si migrimi më i madh vjetor i njerëzimit në botë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb