Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi deklaroi se vendi i tij do të sigurojë vaksina kundër koronavirusit (COVID-19) dhe ndihma humanitare emergjente për Afganistanin.

Sipas lajmit të gazetës “Global Times”, ministri Wang mori pjesë në samitin e mbajtur nëpërmjet internetit nga ministrat e Jashtëm të vendeve fqinje me Afganistanin.

Ai diskutoi për situatën në Afganistan me homologët e tij të Pakistanit, Iranit, Uzbekistanit dhe Turkmenistanit. Ministri kinez tha se Kina krahas 3 milionë vaksinave kundër COVID-19 do të sigurojë për Afganistanin ushqime, ilaçe dhe produkte të nevojës për përgatitje për dimër me një vlerë prej 200 milionë yuan (rreth 31 milionë dollarë).

Duke u bërë thirrje për bashkëpunim vendeve fqinje për të zgjidhur problemet që u shfaqën me tërheqjen e menjëhershme të SHBA-së, Wang vuri në dukje se SHBA-ja dhe aleatët e saj duhet të përmbushin përgjegjësitë e detyrueshme në çështjen e ndihmës humanitare dhe ekonomike ndaj popullit afgan.

Ai tërhoqi vëmendjen që qeveria e formuar nga talebanët është ende e “përkohshme” dhe e ardhmja e vendit është plot me paqartësi. Wang shtoi se vendet fqinje duhet të sigurojnë mbështetje për Afganistanin në parandalimin e COVID-19, duke mbajtur hapur dyert doganore, për kontrollin e valës së refugjatëve të parregullt, për ndihma humanitare dhe në luftën kundër terrorizmit dhe trafikantëve të drogës.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb