Kina ka hedhur poshtë pretendimet e Organizatës Human Rights Watch (HRW) se ndaj pakicave në rajonin e saj autonom Xinjiang janë kryer shkelje të të drejtave në cilësinë e “krimit kundër njerëzimit”.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Wang Wenbin në një konferencë për media në kryeqytetin Pekin, lidhur me lajmet për arrestime arbitrare dhe punën e detyruar ndaj turqve myslimanë ujgurë ka mbrojtur idenë e tij se “janë informacione të gabuara dhe gënjeshtra të formuluara prej ditësh kundër Kinës”.

Wenbin pretendoi se pretendimet “synojnë të prishin stabilitetin dhe sigurinë në Xinjiang dhe të pengojnë zhvillimin e Kinës”.

“U bëjmë thirrje vëzhguesve të huaj që të respektojnë të vërtetën dhe faktet si dhe t‘i japin fund përhapjes së dezinformimeve dhe paragjykimeve të gabuara lidhur me Xinjiangun”, deklaroi zëdhënësi Wenbin.

Në raportin e ri prej 53 faqesh që publikoi dje, HRW vuri theksin mbi pretendimet për shkeljet e të drejtave të njeriut si “arrestime arbitrare, tortura, përndjekje dhe vëzhgim masiv, shtypje kulturore dhe fetare, shpërndarje të familjeve, punë të detyruar dhe dhunë seksuale” të cilat vendosin në objektiv të drejtpërdrejt një popullatë të caktuar të ujgurëve dhe pakicave të tjera turke myslimane.

Në raport udhëheqja e Kinës e cila akuzohet për kryerjen e “krimit kundër njerëzimit” në rajonin autonom Xinjiang, bëhet përgjegjëse për “arrestimet masive dhe sistematike, për tortura si dhe presione kulturore”.

HRW i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) që të formojë një komision për të hetuar pretendimet ndaj Kinës për “krim kundër njerëzimit” si dhe për të përcaktuar dhe ndëshkuar përgjegjësit. Ndërsa qeverive përkatëse, HRW u ka bërë thirrje që të zbatojnë sanksione, ndalesë të vizave dhe udhëtimit ndaj atyre që kanë kryer këto krime.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb