Kina kërcënoi të hënën se do të ndërmarrë kundërmasa ndaj Shteteve të Bashkuara nëse ndëshkohet për planet për të vendosur një ligj të ri në Hong Kong ku shefi i sigurisë e lëvdoi si një mjet të ri për të mundur terrorizmin.

Pekini ka në plan të miratojë një ligj të ri sigurie për Hong Kongun kundër tradhëtisë, mosbindjes dhe rebelimit, vetëm pak muaj pas protestave pro-demokracisë dhe shpesh të dhunshme të vitit të kaluar.

Por, shumë banorë të Hong Kongut, grupe të biznesit dhe vende perëndimore frikësohen se projekt-ligji mund t’i japë goditjen fatale lirive të çmuara të këtij qyteti. Mijëra njerëz dolën në rrugë të dielën megjithë ndalimin e tubimeve për shkak të koronavirusit.

Ndërsa policia shpërndau turmat me gaz lotsjellës dhe pompa uji, Këshilltari amerikan i Sigurisë Kombëtare, Robert O’Brien, paralajmëroi se ligji i ri mund t’i kushtojë qytetit humbjen e statusit të privilegjuar tregtar me Shtetet e Bashkuara.

Por, Ministria e Jashtme kineze tha se Pekini do të reagojë ndaj çfarëdo lloji sanksionesh nga Uashingtoni.

“Nëse Shtetet e Bashkuara këmbëngulin të dëmtojnë interesat e Kinës, Kina do të duhet të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për t’iu kundërvënë”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Zhao Lijian.

Hong Kongu është shndërruar në pikën më të fundit të fërkimeve, ndërsa rriten tensionet mes dy superfuqive, të krahasuara nga Kina me “pragun e një Lufte të re të Ftohtë”.

Refuzimi për tu dhënë banorëve të Hong Kongut të drejta demokratike ka ngjallur mbështetje të rrallë në një Uashington të ndarë ashpër gjatë administratës Trump.

Pekini i paraqet protestat e qytetit si një komplot i huaj për të destabilizuar Kinën kontinentale dhe thotë se vendet e tjera nuk kanë asnjë të drejtë të ndërhyjnë në mënyrën se si menaxhohet qyteti i mirënjohur si epiqendër biznesi.

Agjentë kontinentalë?

Protestuesit, të cilët kanë dalë në rrugë me miliona, thonë se janë të motivuar nga vitet gjatë të cilëve Pekini hoqi një nga një liritë e qytetit, pasi iu rikthye Kinës nga Britania në 1997.

Hong Kongu gëzon liri që nuk përjetohen në kontinent, si dhe sistemin e vet juridik dhe statusin tregtar.

Aktivistët e konsiderojnë propozimin e ligjit të sigurisë si lëvizjen më arrogante të Pekinit për t’i dhënë fund fjalës së lirë dhe aftësisë së qytetit për të bërë ligjet e veta.

Një shqetësim i veçantë është një dispozitë që lejon agjentët e sigurisë kineze të veprojnë në Hong Kong. Kjo mund të shërbejë për shtypjen e atyre që shprehin mosmarrëveshje kundër sundimtarëve komunistë të Kinës.

Në territorin kontinental, ligjet për mosbindjen zbatohen rregullisht kundër kritikëve.

Ligji i propozuar, të cilin legjislativi formal i Kinës pritet ta miratojë së shpejti, gjithashtu do të anashkalojë legjislativin e vetë Hong Kongut.

Shoqata e Avokatëve, me influencë në qytet, e përshkroi të hënën mocionin e propozuar si “shqetësues dhe problematik” – dhe paralajmëroi se madje mund edhe të shkelë mini-kushtetutën e këtij territori.

Propozimi ka shqetësuar investitorët dhe bursa e Hong Kong-ut pësoi të premten rënien më të madhe në pesë vjet. Të hënën ende nuk arriti të rikuperohej, duke u mbyllur me vetëm 0.10 përqind lart.

“Rivendosje e rendit social”

Qeveria jopopullore pro-Pekinit e Hong Kongut ka mirëpritur ligjin.

“Terrorizmi po rritet në qytet dhe aktivitetet që dëmtojnë sigurinë kombëtare, siç është ‘pavarësia e Hong Kongut’, bëhen më të shfrenuara,” tha ministri i sigurisë John Lee në një deklaratë duke përshëndetur legjislacionin e planifikuar.

Shefi i policisë Chris Tang përmendi 14 raste të fundit kur ishin kapur eksplozivë dhe tha se ligji i ri do të “ndihmojë në luftimin e forcave për ‘pavarësinë e Hong Kongut’ dhe rivendosjen e rendit social”.

Protestat e vitit të kaluar fillimisht u nxitën nga planet për të lejuar ekstradimet drejt kontinentit, por shpejt u shndërruan në një revoltë popullore kundër Pekinit dhe forcës policore të qytetit.

Pekini ka hedhur poshtë kërkesat e protestuesve për një hetim në polici, amnisti për 8’500 personat e arrestuar dhe të drejtën universale të votës.

Demonstratat u fashitën në fillim të vitit pasi arrestimet masive dhe koronavirusi bënë efektin e tyre.

Por ato janë rindezur në javët e fundit. Tubimi i së dielës solli përleshjet më të mëdha prej muajsh dhe policia bëri të paktën 120 arrestime.

Gjatë tubimeve gjigande pro-demokracisë të vitit të kaluar, sulmet e turmave ishin të zakonshme nga të dy kahët politikë. Një video e protestuesve që rrihnin një avokat në tubimin e së dielës u kap nga media shtetërore e Kinës.

Hu Xijin, kryeredaktori i tabloidit nacionalist Global Times, postoi videon në Twitter – një platformë e ndaluar në territorin e Kinës.

“Le të shohim se si duket me të vërtetë demokracia e mbështetur nga Uashingtoni në Hong Kong”, shkruajti ai./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb