Kina ka kërkuar një “hetim gjithëpërfshirës dhe të drejtë” për shkeljet e të drejtave të njeriut ndaj popullatës indigjene, përfshirë gratë dhe fëmijët në Kanada.

“Thjesht kërkim-falja nuk është e mjaftueshme dhe Kanadaja duhet të ndërmarrë veprime aktuale për të korrigjuar gabimet e saj”, tha Jiang Duan, ministri i misionit kinez në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, në seancën e 47-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, ku po diskutohet për të drejtat e njeriut të grave.

“Të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të dënohen me ligj”, tha Jiang, sipas të përditshmes kineze “Global Times”.

Kanadaja ka shkaktuar zemërim dhe protesta pas zbulimit të varreve pa emër të mijëra fëmijëve indigjenë në maj.

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau këtë e quajti “gjenocid” për të përshkruar atë që përjetuan fëmijët indigjenë duke filluar nga vitet 1820.

Në tërësi, 139 shkolla rezidenciale indiane u ngritën në të gjithë vendin, e fundit u mbyll në 1996, kurse 150 mijë fëmijë autoktonë u morën nga prindërit e tyre dhe u detyruan të shkonin në shkolla.

Sipas raporteve, fëmijët u ishin nënshtruar abuzimeve të shfrenuara dhe në të shumtën e rasteve ishin varrosur në varre të pashënuara. Rreth 1.148 varre të pashënuara janë zbuluar deri më tani në tre nga ish-shkollat ndërsa komunitetet indigjene thonë se ka shumë më tepër.

Të martën, Kina kërkoi nga UNHRC-ja që “t’i kushtojë vëmendje shkeljes së rëndë të të drejtave të njeriut të grave dhe fëmijëve indigjenë nga Kanadaja”.

Duke folur për abuzimin dhe përdhunimin e raportuar të këtyre fëmijëve, Jiang tha se Kanadaja gjithashtu “kreu sterilizim të detyruar në një numër të madh të grave dhe fëmijëve indigjenë”.

“Kina kërkoi nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut të kryejë një hetim gjithëpërfshirës dhe të drejtë ndaj Kanadasë për të gjitha rastet që përfshijnë dëmtimin e grave dhe fëmijëve indigjenë dhe të gjithë ata që janë përgjegjës duhet të dënohen me ligj”, tha Jiang.

Ai i bëri thirrje Kanadasë që “të luftojë diskriminimin racor dhe krimin e urrejtjes në vend ndaj afrikanëve, aziatikëve dhe pasardhësve të tyre, veçanërisht grave dhe fëmijëve”.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb