Ministria e jashtme kineze thirri kreun e delegacionit të Bashkimit Europian në Pekin për të protestuar mbi sanksionet kundër zyrtarëve kinezë për trajtimin e popullsisë, kryesisht myslimane, ujgure.

”Nicolas Chapuis u thirr për bisedime”, theksoi ministria në një deklaratë, duke shtuar se ”masat ndëshkuese ishin të bazuara në gënjeshtra dhe informacione të rreme”.

”Sanksionet janë në kundërshtim me realitetin”, tha Qin Gang.

”Kina po i kërkon BE të korrigjojë vendimin e saj në mënyrë që të mos dëmtojë më tej marrëdhëniet kino-europiane”, shtoi deklarata.

BE sanksionoi katër zyrtarë kinezë dhe një njësi ekonomike në rajonin perëndimor të Xinjiang që synonin ngrirjen e pasurive të tyre dhe ndalimin e udhëtimeve.

Këto janë sanksionet e para të tilla kundër Kinës që nga masakra e sheshit ”Tienanmen” në 1989.

Brenda disa orësh, Pekini u kundërpërgjigj duke vendosur sanksione mbi 10 ligjvënës europianë dhe katër institucione europiane. //ATSH

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb