Duke shprehur tronditje për vrasjet në Kabul në një varg shpërthimesh të shtunën, Kina e lidhi rritjen e sulmeve në të gjithë Afganistanin me “tërheqjen e menjëhershme të forcave të SHBA-së” nga vendi i shkatërruar nga lufta.

“Duhet të theksohet se njoftimi i papritur i kohëve të fundit i SHBA-së për tërheqjen e plotë të forcave nga Afganistani ka çuar në një sërë sulmesh me bomba në të gjithë vendin, duke përkeqësuar situatën e sigurisë dhe duke kërcënuar paqen dhe stabilitetin, si dhe jetën dhe sigurinë e njerëzve”, theksoi në një deklaratë Hua Chunying, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme kineze.

Të paktën 58 persona u vranë në sulmet me bomba të shtunën në mbrëmje që tronditën lagjen Dasht-e-Barchi të banuar nga pakica etnike shiite Hazara.

Mbi 150 njerëz u plagosën gjithashtu në shpërthime para shkollës Sayed Al-Shuhada.

Shpërthimet ndodhën kur studentët po largoheshin për në shtëpi, kurse shumica e viktimave ishin vajza të reja, tha Mir Wais, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë për AA.

“Kina u bën thirrje trupave të huaja në Afganistan të marrin parasysh sigurinë e plotë të njerëzve në vend dhe rajon, të tërhiqen në mënyrë të përgjegjshme dhe të shmangin shkaktimin e më shumë trazirave dhe vuajtjeve të popullit Afgan”, tha Hua.

SHBA-ja njoftoi tërheqjen e plotë të forcave të saj nga Afganistani deri në shtator të këtij viti, duke i dhënë fund luftës së saj më të gjatë pas arritjes së marrëveshjes me talebanët vitin e kaluar.

“Kina kundërshton ekstremizmin e dhunshëm në të gjitha manifestimet e saj”, tha zëdhënësja, duke shtuar se Pekini do të vazhdojë “mbështetjen e tij të vendosur për qeverinë dhe popullin afgan në përpjekjet e tyre për të luftuar terrorizmin dhe për të mbrojtur sigurinë dhe stabilitetin kombëtar”.

“Ne jemi gjithashtu të gatshëm të punojmë me bashkësinë ndërkombëtare për të ndihmuar Afganistanin të arrijë paqen sa më parë”, shtohet më tej.

Sulmi është dënuar gjerësisht nga OKB-ja, BE-ja Departamenti Amerikan i Shtetit dhe NATO-ja. Talebanët gjithashtu dënuan sulmin dhe mohuan përfshirjen e tyre.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb