Studioja filmike amerikane “Paramount Pictures” dha miratimin e saj për të financuar një film për jetën e këngëtarit britanik, Elton John, ku rolin kryesor do ta ketë Taron Egerton (“Kingsman” dhe “Eddie The Eagle”).

Filmi biografik do të realizohet nga Dexter Fletcher, që ka realizuar gjithashtu filmin biografik “Bohemian Rhapsody” mbi jetën e një këngëtari tjetër britanik, Freddie Mercury të grupit “Queen”.

“Skenari është shkruar nga Lee Hall, autor i skenarit të ‘Billy Elliot’”, theksoi një zëdhënës i ”Paramount” duke konfirmuar një informacion të faqes në internet, Deadline.

“Fillimi i xhirimeve është parashikuar këtë verë”, theksoi Paramount në lidhje me filmin me metrazh të gjatë prodhuar nga “Marv Films” dhe “Rocket Pictures”, shoqëria e produksionit të Elton John, që i është bashkuar projektit.

Këngëtari, 71-vjeçar, njoftoi në fund të muajit janar se do të zhvillonte, duke nisur nga shtatori, turneun e fundit botëror, që do të numërojë rreth 300 data dhe do të përfundojë në vitin 2021.

Në më shumë se 50 vite karrierë, Elton John ka shitur më shumë se 250 milionë disqe.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: