SERBI- SHBA nuk e kanë asnjë arsye të rrëzojë qeverinë e kryeministrit Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar ambasadori amerikan në Beograd, Michael Kirby.

Ai ka theksuar se SHBA është shumë e kënaqur me punën e Qeverisë serbe në krye me kryeministrin Vuçiç.

“Kam biseduar me Vuçiçin dhe i kam thënë qartë se Amerika nuk e rrëzon Qeverinë tuaj sepse nuk e ka asnjë arsye për këtë”, ka theksuar Kirby duke u përgjigjur në pyetjen gazetës “Blic” të Beogradit nëse ka folur me kryeministrin lidhur me pohimet se disa vende perëndimore po punojnë për ta rrëzuar Qeverinë e Serbisë.

Siç shkruan “Koha.net”, diplomati amerikan ka numëruar shumë gjëra të cilat Qeveria dhe Vuçiç i bëjnë e me të cilat SHBA është e kënaqur e që janë: Përpjekja për hyrje të Serbisë në BE, pjesëmarrja konstruktive në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Prishtinën, vendosja e bashkëpunimit me Shqipërinë, shkuarjet e Vuçiçit në Srebrenicë, reformat protregtare ekonomike, marrëdhëniet e frytshme me Amerikën në bashkëpunimin ekonomik ushtarak.

“Dhe për të gjitha këto të mira të Qeverisë së Serbisë më shumë merita në punë ka kryeministri”, ka thënë Kirby duke u pyetur se pse atëherë do të rrëzohej Qeveria e tij.

“Kjo nuk do të kishte kurrfarë kuptimi”, ka thënë Kirby i cili pret që ngjarjet më të fundit në UNESCO lidhur me Kosovën kur SHBA dhe Serbia ishin në anë të kundërta, nuk do të ndikojnë në keqësimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

“Është e ditur se Serbia dhe Amerika nuk pajtohen për çështjet lidhur me statusin e Kosovës, porse ne pajtohemi për procesin e normalizimit të marrëdhënieve të Beogradit e Prishtinës me mbështetje të BE-së që nuk e nënkupton njohjen e Kosovës nga Serbia” ka thënë diplomati amerikan duke shtuar se “edhe rreth Kosovës, gjatë disa viteve paraprake, kemi arritur përparim në mirëkuptim”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb