TIRANË – Ish-Ministri i Kulturës, poeti Visar Zhiti, i propozuar nga Qeveria shqiptare, Ambasador i Shqipërisë në Vatikan, ka pasur sot përkrahjen e shumë deputetëve, të majtë e të djathtë, për këtë detyrë, pavarësisht kundërshtive që ka shprehur Kisha Katolike.

Zhiti ishte ftuar për t’u dëgjuar sot nga Komisioni Parlamentar Për Politikën e Jashtme sëbashku me dy kandidatë të tjerë për ambasadorë: Fatos Rekën në Maqedoni dhe Bardhyl Canajn në Izrael.

“E pranova këtë propozim në një moment të vështirë. – tha Zhiti,i cili humbi djalin e tij të vetëm pak muaj më parë. – Vatikani ka shumë rëndësi për Shqipërinë, ne mund ta shfrytëzojmë atë për pelegrinazhe hyjnore. Shqipëria është një emblemë e harmonisë fetare dhe jo më kot, Papa Françesku e zgjodhi Shqipërinë për vizitë. Ne jemi vendi i harmonisë fetare e martirëve. Mendoj se pranimi i Shqipërisë në BE është për meritë dhe jo për mëshirë,” – ka deklaruar ai ndër të tjera.

Pro kandidaturës së Zhitit u shprehën disa deputetë, të majtë dhe të djathtë. Deputetja e PD-së, Jozefina Topalli, tha: “Ndihem krenare për emrin e Visar Zhitit. Në fjalën e tij mbizotëroi shpirtërorja,” kurse deputeti i PS-së, Ben Blushi tha se “emri i Zhitit është lakuar për shkak të fesë. Por këtë nuk na e imponon dot askush, as kisha. Kërkoj që Komisioni të japë mbështetje unanime. Deputet Namik Dokle theksoi se “kandidatura e Zhitit është më e spikatura dhe më e kompletuara.”

Komisioni për Politikën e Jashtme kishte sot në rend të ditës, seancën dëgjimore rreth kandidaturave për ambasadorë:

1. Z. Fatos Reka, propozuar të emërohet në detyrë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë, rezident.
2. Z. Visar Zhiti, propozuar të emërohet në detyrë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Vatikan, rezident, si dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Urdhërit Sovran Ushtarak të Maltës, jorezident;
3. Z. Bardhyl Canaj, propozuar të emërohet në detyrë Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Izraelit, rezident.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb