BERAT

Policia e Beratit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Vëllezërit”, teksa ka arrestuar dy persona në flagrancë që dyshohet të jenë autorë të 38 vjedhjeve të ndodhura më parë në qytetin e Beratit.

Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, si dhe për kapjen e arrestimin e autorëve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në bashkëpunim me Njësinë Operacionale në DVP Berat, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Vëllezërit”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Artur Hyka, 49 vjeç dhe Fatmir Hyka, 45 vjeç (vëllezër), të dy banues në lagjen “Jani Vruho”, Berat.

Këta shtetas u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, duke tentuar të vidhnin në banesën e shtetases A. A.

Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet që këta shtetas të jenë autorë të 38 vjedhjeve të tjera të ndodhura në harkun kohor 2018-2021, në lagje të ndryshme të qytetit të Beratit.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet që përdornin autorët për të kryer vjedhjet. Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, në fushën e vjedhjes së pronës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb