ELBASAN

Policia e Elbasanit ka vendosur në pranga një 31-vjeçar si dhe ka shpallur në kërkim bashkëpunëtorin e tij 30 vjeç.

 

Dy të rinjtë, dyshohet se kanë mbjellë lëndë narkotike në një zonë të pyllëzuar në fshatin Krrabë të Vogël. A. D., është arrestuar në flagrancë, pranë vendit ku kishin mbjellë lëndën narkotike. Ndërsa L. B., është ende në kërkim. Ky i fundit, kur ka parë uniformat blu, i ka kanosur dhe është larguar në thellësi të pyjeve.

 

Policia njofton se po vijon puna për kapjen e tij.

Njoftimi i plotë:

Elbasan

Evidentohet dhe goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike.

Arrestohet në flagrancë një shtetas, shpallet në kërkim policor bashkëpunëtori i tij, si dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë një shtetas tjetër.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të kontrolleve të pandërprera të territorit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, kanë konstatuar bimë narkotike kanabis të kultivuara në një zonë të pyllëzuar në fshatin Krrabë e Vogël, Elbasan.

Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin A. D., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Gjithashtu është shpallur në kërkim policor bashkautori i dyshuar i kultivimit të bimëve narkotike, shtetasi L. B., 30 vjeç, banues në Farkë, Tiranë. Ky shtetas, kur ka parë shërbimet e Policisë që po ushtronin kontroll në territor, i ka kanosur ata dhe ka mundur të largohet në një zonë të pyllëzuar. Vijon puna intensive për kapjen e tij.

Në vijim të veprimeve është proceduar penalisht në gjendje të lirë shtetasi M. B., për moskallëzim krimi.

Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb