DURRËS

Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë për tre të arrestuarit, që u kapën me armë pa leje dhe që dyshohen se ishin nisur për të vrarë dikë.

Aldi Mustafa, 35-vjeç, Uran Zyka 40 vjeç dhe Tahir Gjinika, 33 vjeç, të dënuar më parë për vepra të ndryshme penale, do të mbahen prapa hekurave.

Arrestimi:

Pak ditë më parë në kuadër të operacionit të koduar “Misioni” u arrestuan; Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani;

Uran Zyka, 40 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Kanosja”. Të dy këta shtetas janë me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit si dhe Tahir Gjinika, 33 vjeç, banues në Durrës.

Tre të ndaluarit dyshohet se do kryenin një vrasje, kundrejt pagesës. Sekuestrohen 3 pistoleta me fishekë në fole dhe 1 mitraloz me fishekë në fole, gati për qitje, municion luftarak, vlera monetare dhe sende të tjera.

Kush është Aldi Mustafa: 

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për ‘BalkanWeb’ se një prej të arrestuarve, që kishin planifikuar një vrasje, Aldi Mustafa, 35 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i dënuar më parë me 10 vite burg, në Gjermani, nuk është një emër i panjohur për policinë.

Mësohet se Mustafa më herët ka qenë anëtar i një bande të njohur në Durrës, ndërsa kohët e fundit ka pasur lidhje me ‘Rrumin’, një personazh i njohur dhe i përfolur në ngjarje kriminale, siç ishte dhe atentati ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja.

Sipas Bezatit, Mustafa është shok i Alekasandër Lahos, ose ndryshe Pëllumb Muharremit, i njohur si i ‘Forti i Shijakut’, i cili i shpëtoi atentatit që iu bë makinës së ish-prokurorit.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb