Nënkryetari i Kuvendit të Serbisë, njëherësh gjenerali në pension, Bozhidar Delic, ka vdekur në moshën 67-vjeçare, konfirmuan për Radion Evropa e Lirë nga institucioni ligjvënës.

Shoqata e Veteranëve të Brigadës së Motorizuar 549, njoftoi se Delic vdiq pas një sëmundjeje të gjatë. Ai u tha se vdiq në Moskë të Rusisë, ku kishte shkuar për trajtim mjekësor.

Delic ishte zgjedhur nënkryetar i Kuvendit të Serbisë më 2 gusht të këtij viti. Në zgjedhjet parlamentare të 3 prillit, ai kishte udhëhequr listën NADA (Shpresa).

Delic u lind në fshatin Lugbunar të Gjakovës më 8 janar 1956.

Ai ishte shef i shtabit të Brigadës së Motorizuar 715 të Ushtrisë së Republikës Sërpska gjatë luftës në Bosnjë e Hercegovinë. Më pas ai u bë komandat i Brigadës së Motorizuar 549 gjatë luftës në Kosovë.

Në periudhën 2002-2005, ai ishte pjesëtar i Drejtorisë Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave dhe të Ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi. Ai u pensionua nga karriera ushtarake më 2005.

Si dëshmitar i mbrojtjes, ai dha dëshmi para Tribunalit të Hagës në gjykimin kundër ish-presidentit jugosllav, Slobodan Milloshevic dhe gjeneralit Vladimir Lazarevic.

Delic ishte pjesëtar i Partisë Radikale Serbe, lideri i së cilës, Vojslav Sheshel u dënua nga Tribunali i Hagës.
Më pas, më 2008 ai iu bashkua Partisë Përparimtare Serbe, që aktualisht është në pushtet në Serbi. Megjithatë, më 2011 u kthye të radikalët, por më 2020 u largua sërish nga partia e Sheshelit.

Më 16 gusht, Shoqata për krimet e luftës “Gjakova 98-99”, dorëzoi kallëzim penal kundër Deliqit në sektorin e krimeve të luftës në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Shkëndije Hoda, përfaqësuese e kësaj organizate, tha se kanë mbledhur dëshmi civile për, siç tha ajo, krime që dyshohej se Delic i kishte kryer ndaj civilëve shqiptarë në luftën e fundit në Kosovë.

Edhe Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, kishte dorëzuar dy kallëzime penale për krimet e dyshuara në Kosovë, por autoritetet serbe asnjëherë nuk sollën para drejtësisë Bozhidar Delicin.
Sipas drejtorit të Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Bekim Blakaj, brigada e komanduar nga Delic është përgjegjëse për vrasjen e mbi 2 mijë civilëve në komunat e Suharekës, Rahovecit dhe të Gjakovës

“Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi kanë bërë kallëzim ndaj Bozhidar Delicit dhe ndaj 10 personave të tjerë për krimet e kryera më 25 mars 1999-të në Tërrnjë të Suharekës. Në territorin nën përgjegjësinë e kësaj brigade janë kryer krime të shumta. Dhe ne kemi thënë që 2 mijë njerëz janë vrarë në komunat Suharekë, Rahovec dhe Gjakovë. Por, krimi më masiv është ai i Mejës ku mbi 365 civilë shqiptarë, nga forcat serbe. Në mesin e tyre ka vepruar edhe brigada “549”, kishte thënë Blakaj në Klan Kosova.

Në kallëzimet penale të dorëzuar nga Fondi, bëhej fjalë për krimet e dyshuara të kryera ndaj popullatës civile në Tërnje dhe Landovicë të Kosovës.

Pasi Delic ishte zgjedhur në postin e nënkryetarit të Kuvendit të Serbisë, kishte reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani kishte thënë se Delic ishte komandat i një brigade ushtarësh “që masakruan mijëra kosovarë”.

Reagimet për Delcin dhe dyshimet për vrasjen e civilëve shqiptarë nuk ishin pengesë që ai të emërohej nënkryetar i Kuvendit. Më herët, gjenerali serb ishte shpërblyer me “Urdhrin e Heroit Kombëtar”, për betejën e Pashtrikut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb