Dashuria dhe pasioni për muzikën nisi herët për muzikantin e njohur korçar Tomi Kondakci, ndërsa kitarën e mori për herë të parë në duar në vitin 1969 në moshën 10-vjeçare. Ëndrrat e tij ishin të mëdha për ta ndërtuar jetën artistike në Amerikë, larg diktaturës komuniste por ato do të priteshin në mes ende pa u pjekur mire. Muzika që aq shumë e donte do të ishte një nga arsyet kryesore të kalvarit të vuajtjeve të tij edhe pse siç thotë edhe vetë Kondakçi, pasioni ishte aq i madh saqë edhe po të kthente kohën pas do të vepronte po njësoj: Të jetonte i lirë me kitarën e tij.

Një tentativë për tu larguar nga Shqipëria, dështoi dhe Tomi asokohe 19-vjeçar u dënua nga gjykata e Korçës e dënon për tradhti ndaj atdheut në formën e arratisjes së mbetur në tentativë” dhe “për agjitacion e propagandë”, me 12 vjet burg. Dënimi I tij u nda mes Spaçit dhe burgut të Qafë Barit. Ishte shumë I ri kur Tomi Kondakçi u përball me një jetë të vështirë në burgjet më famëkeqe të historisë së Shqipërisë duke luftuar për të mbijetuar me të vetmin motiv që e mbante me shpresë: pasioni për muzikën.

Kondakçi e kishte shprehur hapur pasionin e tij për muzikën dhe një gjë e tillë ishte vënë re edhe nga punonjës të burgut të cilët e urdhëruan të këndonte një këngë për diktatorin Enver Hoxha. Ai rrëfen një episod të dhimbshëm në burgun e Spaçit ku me gjithë mallin që ndiente për kitarën zgjodhi ta harronte atë çast dhe ti kërkonte shokut të tij ti priste mollzat e gishtave. Kështu ai nuk këndoi kurrë për Enver Hoxhën dhe preferoi të gjymtojë dorën, duke lënë shenja që dallohen edhe sot.
Duke përfituar nga puna e rëndë që bënte në të dyja kampet dhe nga amnistitë në vitin 1987 me dekret të Kuvendit, Tomi Kondakci lirohet nga burgu, një lajm ky që erdhi në momentin dhe kohën e duhur, por ashtu siç thotë edhe vetë muzikanti liria ishte edhe më e vështirë pasi nuk po përballej vetëm me përbuzjen e shtetit por edhe atë të shoqërisë. Kondakçi e vuante shumë këtë pjesë ndërsa ngushëllimin e gjente vetëm te kitara.

Edhe pse njolla e biografisë e përndiqte Tomi Kondakci nuk rreshti kurrë së luftuari për ëndrrat e tij. Ai filloi të hynte me jetën artistike në qytet duke marrë pjesë në aktivitetet që organizoheshin në atë kohë madje rrëfen se për shumë vite u bë pjesë edhe e një grupi që këndonte serenate korçare.
Epoka qe sot jetojmë, ajo e lirisë, e kreativitetit e muzikës pa kufi ka mangësitë e veta. Një vendi si Shqipëria i mungon mbështetja për artistët. Kjo bëhet pengesë sipas Kondakçiut që shumë artiste të aftë dhe të kompletuar të mbeten nën hije, të pazbuluar.

Ëndërr që bëhet realitet, është jeta e artistit Tomi Kondakçi që kurrë, edhe në ditët më të errëta të jetës së tij nuk iu nda shoqërueses së tij të pandarë, kitarës. Sot në moshën 62-vjeçare Tomi Kondakci vijon të këndojë dhe t’i dhurojë qytetit të Korçës zërin e tij, emocionet, pasionin dhe fuqinë që i ka buruar gjithmonë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb