“A te kujtohet, ajo nate? Kur dy duart m’i hidhje ne qafe? E me puthje, me puthje si e marre? Me ato buze qe aq shume të ishin tharë……

Kjo është kënga e parë e kantautorit të njohur dhe simbolit së serenatave Korçare Mihallaq Andrea, i cili karrierën e tij e nisi qe ne moshën 14 -vjeçare. Me kitarën në duar, instrumentin e pandashëm të jetës së tij Mihallaq Andrea kujton se, ishte në “sokakun” e shtëpisë kur një e panjohur i afrohet dhe i jep këtë tekst të cilin kantautori shumë shpejt do ta kthente në një nga këngët më të dashura të publikut. Ishte kjo këngë që do të çelte rrugën e karrierës së tij për t’iu kushtuar përgjithmonë, me zërin e tij brilant muzikës së lehtë e veçanërisht serenatave korçare.

Krijimet e Mihallaq Andreas u bënë shumë të njohura gjatë kohës së diktaturës. Ato këndoheshin kudo por suksesi do të ndërpritej në mes nga sistemi i asaj kohe i cili i ndaloi të drejtën për të krijuar dhe kënduar me pretekstin se ishte muzikë “dekadente”. Pikërisht në festivalin e 11-te Mihallaq Andreas i hoqën të drejtën e krijimtarisë, i ndaluan te drejtën e daljes ne skenë e gjithashtu e larguan nga Lidhja e Shkrimtareve dhe Artisteve. Një ëndërr e gjatë e cila e zgjon pas 16 vitesh pikërisht në vitet 90 ku Mihallaq Andrea do ta gjente veten në estradën profesioniste te qytetit. Ishte i ndjeri Aleko Prodani ai që e ftoi në recitalin e parë që u realizua për 7 netë me radhe dhe që shënoi sukses të madh duke hedhur një hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

Mihallaq Andrea ka një karrierë të pasur muzikore si kantautor dhe në repertorin e tij numëron me qindra këngë. Në publik ai vijon të jetë i pranishëm jo vetëm përmes këngës, por edhe krijimtarisë letrare. Pjesën më të madhe të kohës kantautori i njohur korçar e kalon në studion e tij i shoqëruar nga zëri unik, kitara dhe pena. Nuk del kurrë jashtë saj pa hedhur në letër krijimin e radhës apo pa kënduar me kitarën e tij serenatat e dashura korçare. Të shumta janë ato krijime që brenda tyre mbartin një copëz nga vendlindja e tij, Korça. Vepra dhe vlera krijuese e tij janë një thesar i çmuar i traditës së pasur të këngës dhe muzikës korçare. Kënga kushtuar birrës Korça, birrës së parë shqiptare është një tjetër krijim në repertorin e tij.

Mihallaq Andrea sot ka familjen e tij me 2 fëmijë, por kurrsesi nuk ka kërkuar prej tyre të ndjekin rrugën e artit. Edhe pse të dy fëmijët kanë talent për muzikën, vajza në këngë dhe djali në kitarë, ata punojnë në profesione të tjera larg artit por si trashëgimtare marrin gjithmonë me vete një copëz nga krijimtaria e të atit të cilën e praktikojnë në kohë të lirë. I përkushtuar në muzikë që në moshë të re, kur nisi të krijonte këngët e para Mihallaq Andrea u bë pjesë e pandarë e serenatave korçare me zërin e tij të veçantë. Për krijimtarinë e tij dhe kontributin në art, është dekoruar me titullin “Personalitet i shquar i Qarkut të Korçës” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: