Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka luajtur me interesin kombëtar dhe sovranitetin e Sqhipërisë, kur u pyet sot nga gazetarët lidhur me akuzat që bëri ndaj numrit një të qeverisë se “ka bërë pazar me kompani për shpimet për naftë në detin Jon”.

Ndër të tjera, ish-presidenti nënvizoi se kjo aferë është shumë e rëndë dhe nuk ka faj Greqia por vetëm Edi Rama, i cili do të shkoje në fund të detit për këtë arsye.

FJALA E METËS:

Për këtë çështje kam kaq shumë fakte, prova të dëmeve të jashtëzakonshme që Edi Rama i ka shkaktuar interesave sovrane, shtetërore, politike të Shqipërisë, por kjo nuk është çështje që mund të më shfokusojë nga denoncimi i çështjeve të tjera.

Kjo është kryeaferë shume e rëndë. Ju lutem të mos bini në lojën e Edi Ramës për të nxitur interesa antigreke në këtë çështje, sepse Greqia ka qenë dhe është në interesin e saj për të gjetur një zgjidhje për të shfrytëzuar hapësirat e saj detare dhe pasuritë e mundshme. Problemin në këtë çështje s’e kemi nga Greqia, por nga Edi Rama. Dhe do japi llogari

Kjo aferë do e marri në fund të detit, pa asnjë diskutim. I kam çuar një letër Kuvendit para se të lija detyrën e presidentit. U kam çuar vetëm një pjesë të dokumentimit të shqetësimeve serioze për këtë çështje që vijnë prej lojërave të këtij të papërgjegjshmi, aventurier, i marr peng nga çdo lloj interesash. I kam bërë të qartë Parlamentit që çdo moment jam i gatshëm si President që kam qenë, të shkoj atje sa herë që kanë ndonjë paqartësi dhe të kontribuojmë të gjithë për zgjidhjen më të mirë në interesin e Shqipërisë. Sepse dëmtimi i pozitës së vendit në mënyrë të qëllimshme nga ky individ është shumë i rëndë dhe i dokumentuar, por nuk dua të flas në Kuvend më shumë për këtë çështje.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb