TIRANË

Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi sot se do të ketë një kallëzim të ri për 21 janarin.

Balla tha se dosja e vrasjes së Aleks Nikës duhet të kishte shkuar me kohë në SPAK.

Sipas tij, SPAK duhet të tërheqë menjëherë dosjen nga prokuroria e Tiranës, e cila duhet të shpallë moskompetencën, pasi urdhrat e vrasjes janë dhënë nga zyrtarët më të lartë të qeverisë atë ditë.

“Më 21 mars 2011 ne deputetët e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kemi depozituar nhë kallëzim penal me të akuzuar të gjithë personat e përfshirë në zinxhirin komandues të vrasjeve shtetërore më 21 janr 2011 ku u qëllua mbi qytetarë protesues me armët e pushtetit tē kohës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Më 22 prill 2011 jam paraqitur përsëri pranë Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Tiranë ku kam depozituar prova të reja shkresore dhe filmike lidhur me kallëzimin tonë të mëparshëm lidhur me vrasjen e protestuesve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Lidhur me këtë kallëzim dhe këto prova shkresore edhe filmike asnjëherë nuk kemi marrë asnjë përgjigje apo të jemi thirrur qoftë edhe një herë pēr të dhënë shpjegime si palë akuzuese apo palë e dëmtuar pavarësisht kërkesave tona të vazhdueshme. Sikurse i gjithë opinioni publik është informuar, dosja penale për tre nga katër vrasjet dhe vendimet e gjykatave janë një nga turpet më të mëdha në atë që quhej drejtësi në këtë vend deri pak vite më parë. Mjafton të përmend një prej dhjetërave përfundimeve ulëritëse të drejtësisë së vjetër. Edhe pse u vërtetua se bereta e Gardës së Republikës PZ52778 ka qëlluar, vrasja e Faik Myrtajt u cilësua nga gjykatat pa autor”, tha Balla.

Sipas tij, e vetmja dosje e pahetuar aspak, e pagjykuar është dosja e dëshmorit Aleks Nika, e cila është një dosje penale po pa vrasës, po pa autor dhe në këtë kontekst ne nuk kemi ndenjur as të heshtur dhe as indiferent.

“Por duke qenë dhe forcë qeverisëse jemi përpjekur gjithnjë të ruajmë kufirin e pavarësisë së pushteteve edhe pse me pushtetin gjyqësor në këtë vend janë bërë shpërdorimet më ulëritëse të detyrës. Gjithnjë kemi qenë dhe jemi qartësisht në anën e drejtësisë në besimin tonë të palëkundur se i takon vetëm drejtësisë të bëjë drejtësinë e munguar për 21 janarin. Ne jemi në anën e drejtësisë dhe presim drejtësi.
Më 21 janar 2021 policia e shtetit sikurse është bërë publike i ka kërkuar Prokurorisë së Tiranës urdhërin e Prokurorit për kryerjen e riekspertizës të vrasjes së së protestuesve Aleks Nika dhe Hekuran Deda por edhe të të plagosurit gazetarit Fatos Mahmutaj.
Me 26 maj 2021 jam informuar pas kërkesave të depozituara se Prokuroria e rrethit gjyqësor Tiranë ka rihapur hetimet për sa më lart dhe pēr personat e tjerë të plagosur më 21 janar 2011.
Më 24 maj 2022 gjatë raportimit në Kuvend i kam kërkuar dhe kam paraqitur kërkesën publike si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiate drejtuesit të SPAK për tërheqjen e kësaj dosjeje nga Prokuroria e Tiranës dhe hetimin prej kësaj strukture të posaçme të kësaj dosjeje penale”, deklaroi Balla.

Ai tha më tej se më 27 korrik 2022 në konsultim edhe me familjarë edhe përmes avokatit përfaqësues si pjesë e palës dëmtuese kanë hartuar dhe “i është dërguar një kërkesë tjetër Prokurorisë së Tiranës ku bazuar edhe në ndryshimet e reja të Kodit të Procedurës Penale mbi juridiksionin e organeve të prokurorisë në Republikën e Shqipërisë ku kemi kërkuar shpalljen e mos kompetencës së Prokurorisë së Tiranës për dosjen e vrasjes së Aleks Nikës dhe kalimin e kësaj dosjeje tek Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.

“Më 20 janar 2023 ndërsa Sali Berisha vazhdoi ironinë haptazi me drejtësinë duke rirrahur përsëri gjoksin me mburrje dhe duke rideklaruar me zë dhe me figurë se vetë shteti i kishte vrarë, se Garda e Republikës qëlloi mbi trupa shqiptarësh dhe se ai do ta ribënte sërish këtë, gazetari Artan Hoxha ka publikuar një provë të re materiale që mbështet deklarimet e Sali Berishës dhe provon katërcipërisht se kush janë urdhëruesit dhe autorët e vërtetë të këtyre vrasjeve që u morën jetën katër më të mirëve ndër ne dhe vranë shpirtin e protestës qytetare në vend. Prova e re materiale flet vetë, ajo është një audio e regjistruar nga komunikimi përmes radiove të Gardës së Republikës më 21 janar 2011. Ajo që dëgjohet nga regjistrimi i radiove provon tërësisht se komandanti i Gardës Ndrea Prendi ka urdhëruar vrasjet, madje ai ka zgjedhur dhe kush duhet tē qëllonte duke i’u drejtuar me emër dy gardistëve dhe madje është shumë e qartë se vetë Ndrea Prendi është urdhërues i urdhëruar. Fakti që Sali Berisha zhduku serverin e kamerave të Kryeministrisë më 21 janar nuk e fshehu dot krimin. Pas 12 vitesh më në fund ka dalë në publik edhe prova më e re dhe më e rëndë që janë komunikimet me radio”, tha ai.

Balla theksoi për sa më sipër kjo dosje nuk duhet të vazhdojë të mbetet peng në Prokurorinë e Tiranës. Me lojën e vjetër të transferimit nga një prokuror në një prokuror tjetër që bien me radhë nga vettingu dhe i’a pasojnë atyre që janë ende aty.

“Nën dritën e kësaj prove të re materiale dhe të të tjerave që do të dalin në dritë nga hetimi i gjithanshëm dhe objektiv do të duhet që kjo dosje edhe pse duhet të ishte transferuar tashmë te transferohet tek Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Prej 27 korrikut ka në fakt edhe një kërkesë procedurale nga pala e dëmtuar që kërkon kalimin e kësaj dosjeje në SPAK.
Me besimin tek drejtësia ne konsiderojmë si një test të rëndësishëm për integritetin e kësaj strukture të posaçme që ka ngjalluar shpresa tek shqiptarët, tek drejtësia e re për tu hetuar si krim shtetëror dhe për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj kujtdo pavarësisht nga pozita zyrtare që ai mban apo ka akoma, që ka qenë i përfshirë në urdhrat dhe ekzekutimet e 21 janarit. Nën dritën e fakteve të reja si palë e dëmtuar, sepse ata që u vranë më 21 janar ishin pjesë e familjes sonë ekspertët juristë të së Drejtës Penale të Partisë Socialiste kanë filluar punën prej ditës së djeshme për hartimin e një kallëzimi penal tjetër drejtuar Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. 21 janari kërkon që drejtësia e re të bëjë detyrën vetëm në përputhje me Kushtetutën dhe me Ligjin”, tha Balla.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb