Nga: KIÇO BLUSHI*
Pati një reagim mbarëpopullor për vrasjen makabre të dy turistëve çekë nga njëzetvjeçari dukagjinas me emrin Sokol. U evokua besa, traditat, mikpritja dhe krenaria e famshme shqiptare. Kryeplaku dhe kreu i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve të krahinës, Nikoll Shullani, në emër të Kanunit kërkoi që i ati dhe familja e Sokolit, me kuç e me maç të dëboheshin nga fshati Lotaj, t’u digjej me themel shtëpia, t’u shkuleshin nga rrënjët pemët, të varej fajtori. Nuk mungoi edhe ministri i Drejtësisë, Naço, që urdhëroi hapjen e menjëhershme të dosjes së hetimit dhe gjykimit të të pandehurit për vrasjen dhe dy vjedhjet e mëparshme të Mjacajt. U ngrit në këmbë edhe shoqëria civile në qendër të Tiranës dhe Shkodrës, ndonëse e pakët, që ndezi qirinj përkujtimorë për viktimat; disa madje valëvitën nëpër maja malesh të larta edhe flamurin e Çekisë. Gjithçka për të ndrequr “imazhin” e Shqipërisë. Për të larë turpin kombëtar para syve të botës. A thua se imazhi ynë kombëtar qenkësh në dorë të një vrasësi! Dhe se me gjithë këto masa e reagime civile, mediatike e qeveritare, krimi, mbas sodit, do të mpakej e do të tërhiqej, meqë ishte një dukuri e izoluar, e veçantë, sepse tekefundit, “kriminelë ka kudo në botë”.
Në këto 25 vjet kanë humbur jetën, janë vrarë, vetëvrarë, aksidentuar, burgosur, gjakosur, hasmosur e sikterrosur më shumë shqiptarë se në të njëqind e ca vitet me shtet të mëveçëm, duke futur në këtë hesap edhe luftërat. Askush nuk kujtohet për viktimat me pasaportë shqiptare. Aq jemi përshtatur me kronikën e zezë, sa tani na duket herë si kronikë pa ngjyrë, ndonjëherë edhe si kronikë rozë me personazhe maniakët, perversët, pedofilët, përdhunuesit apo kujdestaret që rrahin jetimët e gjorë… Jemi ambientuar me krimin aq sa na bën përshtypje vetëm kur e pësojnë turistët e huaj. Frika se mos na braktisin turistët, ankthi i dëmtimit të imazhit të vendit peshojnë e rëndojnë më tepër se shqetësimi dhe preokupimi për të gjetur pse-të e vërteta të rritjes së kriminalitetit, sidomos te të rinjtë, tek ata që kanë lindur pas viteve ‘90. Bash për këtë përditësim ndjellakeq nuk u kujtua kush të bënte të njëjtin homazh edhe për viktimat e tjera të po asaj dite, në Shkodër, ku kriminelët, pasi i torturuan pleqtë, i prenë veshin viktimës, si dhe për vrasjen, po aq makabre, në mes të Lezhës. As për fëmijët jetimë të Shkodrës që dhunoheshin mizorisht nga kujdestaret. Mos vallë krimi i shqiptarëve mbi shqiptarët është më pak mbresëlënës e aspak domethënës, se sa ai që kryhet mbi të huajt që na vijnë si miq apo si turistë?
***
Është e pamundur të aplikohet në një shoqëri të hapur parimi “Rrobat e palara nuk nxirren në pazar”. Nuk mund të mbulohet me propagandë as fakti që turistët çekë i vrau Drejtësia e cunguar, e munguar, e korruptuar, para se të drejtonte grykën e kallashit mbi ta krimineli dukagjinas.
Krimi nuk lind në atë minutë që kryhet. Nuk e ka fajin arma, as plumbi, as thika, as krahina, as fshati ku ka lindur vrasësi. As geni ynë “specifik” dhe as temperamenti kolerik. Nuk vlen justifikimi që dëgjohet këto ditë se po qe se i pandehuri do të kishte qenë në burg, pra po të mos ishte dënuar nga gjykata e Shkodrës pesë vjet për vrasjen e një fëmije për një varëse floriri, pra po të mos ishte liruar krimineli, dy të rinjtë çekë sot do të ishin gjallë. Në vend të këtij vrasësi do të kishte dalë një tjetër, sepse krimi ka burim dhe terren social. Tek ne, përveç padrejtësisë që jep Drejtësia, ka edhe pabarazi të theksuar sociale, ka klimë kriminaliteti në rritje, ka pandëshkueshmëri të ligjëruar, ka mjerim, ka varfëri skajore, ka padije që mburret si e tillë, ka injorancë të veshur me pushtet, ka mungesë shprese, ka kontraste aq të thella materiale e morale sa e bëjnë të vështirë dhe të pamundur kohezionin, paqen, mirëbesimin, harmoninë sociale. Më e rëndësishmja: nuk ka masa parandaluese për të mos mbirë barërat e këqija.      
Vetëm një prift katolik, dom Gjergji, pati guximin të kundërshtojë, sipas frymës kristiane, histerinë kolektive mbi “monstrën” tonë të fundit (sa monstra kemi pasur në këto vite, anekënd Shqipërisë, si në veri e në jug!). Ishte i vetmi zë që te krimineli, te vrasësi, pa njeriun, duke e ndarë mëkatin, fajin dhe krimin nga njeriu. Po a mund të ndahet krimi nga njeriu që e kryen atë? A mjafton përndjekja demonstrative dhe kapja me 350 e ca forca policore, si dhe dënimi, kësaj here me drejtësi, i vrasësit Sokol Mjacaj, nëse nuk zbulohen dhe nuk kurohen më së pari shkaqet e sëmundjeve shoqërore që e bënë adoleshentin, apo njeriun Sokol, si e quan dom Gjergji, të jetë e të sillet si një kriminel përsëritës dhe gjakftohtë? A ka përgjegjësi kjo lloj shoqërie, trashëgimia jonë e afërt dhe e largët, e ngritur mbi themele orientale (dembelizmi, padituria, mungesa e dëshirës për punë e arsimim, vaniteti dhe djerrakoha, të kënaqurit me pak: me një fërgesë, një kokërr qepë e një gotë raki, etj…) si dhe kjo lloj politike që është zbatuar në këto vite me tëdalëkutëdalë? Cilat janë burimet që prodhojnë të tilla monstra, si Sokoli (të më falë dom Gjergji, po termin “monstër” po e përdor si referencë), si ai dhe të tjerë që ka me shumicë ka anekënd, jo vetëm dje e sot, por edhe nesër? A do të ishte vrarë e masakruar fëmija para pesë vitesh për një varëse, po qe se viktima, kur u kërcënua do t’ua jepte keqbërësve varësen e floririt që të shpëtonte jetën? Por viktima nuk e dorëzonte dot se kishte frikë. Prindërit e varfër të viktimës, me kursime, duke hequr bukën e gojës, i patën blerë një varëse floriri dhe nuk e shkolluan dot me ato të holla të birin… Viktima po ta falte, e dinte që do të ndëshkohej nga prindërit po njëlloj, në mos më keq. Fatkeqësisht ne çmojmë varësen apo orën e floririt në qafë të fëmijës, se kulturën dhe arsimimin e tij. Sepse ne, si në shoqëritë primitive, i japim më shumë rëndësi dukjes, ngjyrave të rrobave, tutuazheve, modës dhe snobizmit. Të rinjtë e zonave rurale shesin tokën për një veturë (nuk blejnë një minitraktor), të cilën e demonstrojnë para kasolles, me krenari, paçka se prindërit flenë me kërcu nën kokë e nuk kanë bukë të hanë… Kjo është një mendësi orientale e trashëguar,  vanitoze, e cila na bën të shohim e vlerësojmë të ardhmen me një gjerdan, se sa me djersën e ballit.     
Vrasësi Sokol dhe dy vëllezërit Koka që ende janë në burg për vrasje, me siguri nuk dinë as shkrim e këndim. Por ama edhe ata duan të kenë celularë të shtrenjtë. Duan edhe drogë, pse jo? Teksa shohin në internet e nëpër TV-të e Tiranës si bëjnë qejf moshatarët e tyre në lokalet e Bllokut, nëpër spektakle dhe pabe, nuk kanë faj po të kërkojnë të jenë edhe ata të tillë, të gëzojnë jetën e të mos privohen nga kënaqësitë e saj. Ç’kanë më shumë se ata të rinjtë çekë, që vijnë nga an’e anës, me makina të shtrenjta të bëjnë qejf në Bjeshkët tona? Në një katund të veriut babai e vrau të bijën adoleshente, sepse asaj i vinte turp të kulloste dhëntë e dhitë. Në Akademinë “Marubi” këto ditë u shfaq dokumentari i një studenti të vitit të parë që kishte intervistuar live tre “fëmijë-bosa”, – kështu i quante -, në periferi të Tiranës, në një katund të Kamzës. Trembëdhjetëvjeçarët luanin në bilardo, pinin në lokalin e katundit duhan me të dredhur, si burra pleq, tregonin që kishin përdorur edhe drogë… Kishin shkuar në një motel me një vajzë moshatare, nuk përdornin prezervativë për t’u mbrojtur (pasi “ajo vetëm me ne ka shkuar”…), kishin parë në internet të gjitha pisllëqet, kishin iPad, flisnin për drogë, njëri syresh tregoi shenjën e thikës në bark, gjykonin për hakmarrje, për të atin e emigruar në Francë se kishte vrarë e ishte në gjak… Ku i gjeni paratë, i pyeti studenti që kishte bërë filmin. “Bëjmë ndonjë ‘punë’, na jep edhe vëllai i madh, na dërgon babi 150 euro në muaj… Nuk ka gjë në këtë jetë që nuk e kemi provuar… Shyqyr që kemi këtë duhan që na e heq stresin e ditës”, – tha, si për justifikuar hallet, fëmija-bos-plak…
 Të rinjtë e sotëm, më rrëfeu para ca ditësh një banor në Orikum, nuk e duan punën. Edhe aty kishte bërë vaki një tragjedi e rëndë para ca kohësh: nipërit kishin masakruar gjyshërit për t’i vjedhur… Të rinjtë jo vetëm punën me tokën, me kazmë nuk e duan, por as shkollën. Mund të mbarosh shkollën, edhe universitetin, madje shkëlqyeshëm e të jesh i papunë. Mund të punosh tokën, mund të kullosësh bagëtitë dhe prodhimet nuk ke ku i shet… Edhe nëse del në qytet t’i shesësh, me fitimin e tyre nuk bën dot atë qejf që sheh nëpër televizione, atë jetë që bëjnë moshatarët në Tiranë… Kësisoj ose ikja në Gjermani, ose përndryshe, po mbete këtu, vetëm vjedhja dhe krimi mund të të sigurojnë shpejt e lehtë një jetë pa mungesa… Ky është gjykimi për jetën i shumicës të rinjve. E vështirë t’i bindësh për të kundërtën. Shoqëria nuk të jep asnjë argument bindës.  
Nëse prindërit janë vetë të papunë, nuk ka se si t’u krijojnë fëmijëve të tyre mirëqenie, begati dhe luks, andaj adoleshentët e pashkolluar, të paduruar e të pashpresë do të bëhen në mos depresivë, agresivë me ta… Për ta nuk ka tundim më të keq dhe as justifikim se kjo pyetje: Përse të tjerët bëjnë qejf dhe ne jetojmë kaq keq? Ç’faj kemi ne që kemi lindur në humbellë, te prindër të varfër? Te kjo pyetje pa përgjigje fshihen e lindin dramat dhe tragjeditë familjare, të padëgjuara më parë. Nga rruga, tani krimi ka hyrë brenda familjes.      
Pas këtyre shembujve lind dilema tjetër, e vjetër sa bota: njeriu lind apo bëhet (nga rrethanat e jetës) keqbërës, vrasës, i dhunshëm, kriminel? Përse në vendet e ulëta, ku standardi i jetës është më i lartë ndodhin më pak krime, aq sa Holanda psh. po i jep me qira burgjet e veta? E pra, në Holandë është e legalizuar edhe droga, edhe prostitucioni; në Amsterdam prostitutat, si çdo mall, nga të gjitha racat, janë të ekspozuara nëpër vitrina, në rrugët kryesore të qytetit…
****
Në monizëm ishte mjaft e njohur një këngë, teksti i së cilës thoshte: “Dukagjinas zbrit nga mali, merre tokën që ta fali” …Edhe pse nuk lejohej vetëtransferimi nga fshati në qytet, madje as nga qyteti në qytet, dukagjinasve, posaçërisht, për shkak të varfërisë dhe prapambetjes së trashëguar, specifikës gjeografike, izolimit dhe mungesës fatale të infrastrukturës urbane, u bëhej thirrje të zbrisnin në fushë e të merrnin “tokën që ua fali partia”… Në demokraci u thyen barrierat e pengesat. Qytetarët u lanë të lirë të jetojnë ku të duan e si të duan, madje të emigrojnë edhe jashtë shtetit. Shoqëria u nakatos, u përzje. Ky koktejl demografik i popullsisë rurale me atë urbane u duk si kulmi i lirisë, si plotësim i të drejtave të mohuara të njeriut, por në të vërtetë doli ndryshe.  
Doli ndryshe jo vetëm pse u krye me anarki të plotë, në mungesë të infrastrukturës, me pabarazi dhe konfliktualitet, por më e rëndësishmja, me një sistem drejtësie të cunguar, të munguar, të mohuar, të korruptuar deri në palcë, Drejtësi e cila, në emër të ligjit, prodhon përditë padrejtësi. Prandaj kreu i Shoqatës së Pajtimit të Gjaqeve në Dukagjin kërkon hapur jo te bytha e rrapit të katundit, po në media, zbatimin e Kanunit. Ai shpreson se në këtë situatë absurde konfliktet mund të zgjidhen e shuhen, si në parashoqërinë e Lekë Dukagjinit, 500 vjet më parë: dhuna me dhunë, vrasja me vrasje, gjaku lahet me gjak, madje edhe me ndëshkime akoma më të rënda: me dëbim nga fshati dhe heqjen e të drejtës për të pasur një varr… Dëshmia e kreut të pajtimit të gjaqeve tregon në fund të fundit se njerëzit e sotëm nuk kanë besim te ligji, te shteti, te Drejtësia.
Në këto kushte, ç’mund të bëjë një i ri në Dukagjin, në Pukë, në Kukës, në Bathore, në Ersekë e Përmet, i mbetur pa punë, pa shkollë, pa të ardhme, pa shpresë, pa besim te Drejtësia, te shoqëria, te komuniteti dhe shteti i vet?! Ku t’i gjejë paret për drogë, për cigare e për një gotë? Për një celular të shtrenjtë e për një veturë? Sa lekë i duhen një të riu në ditë që të kapardiset e të mos ndjehet i diskriminuar e i përjashtuar nga shoqëria, paçka se është i papunë, i pashkolluar, kryekrejt i paaftë për të bërë ndonjë punë, përveçse kamarier apo larës në ndonjë lavazh?
E pra, shoqëritë që nuk japin drejtësi, që kultivojnë dhe glorifikojnë pabarazinë dhe harbutërinë më kollaj, si hashashi i Lazaratit, janë të destinuara të prodhojnë të tilla “monstra”, sa kohë nuk ka as strategji e as përpjekje të përbashkëta e të mençura për të përmirësuar sadopak këtë klimë rrënimtare.

(d.d/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: