Kryetari i PD-së Lulzim Basha, i pyetur nga gazetarët për Lëvizjen e mundshme politike të ish kryetares së parlamentit Jozefina Topallit dhe sa e dëmton Partinë Demokratike kjo lëvizje, u shpreh se lufta ndaj kësaj qeverie duhet të jetë e pakompromis.

Basha theksoi se në PD është i mirëpritur çdokush që lufton qeverisjen e korruptuar të Edi Ramës.

“Sapo folëm për një proces që ka përfshirë demokratët në një mënyrë të hapur dhe pa asnjë përjashtim dhe demokratët ndjehen krenar për këtë dhe kanë arsye të ndjehen krenarë për këtë. Po vendosim një standard të ri.

Absolutisht nuk mund të paragjykoj dhe nuk dua të paragjykoj askënd që është në opozitë me Edi Ramën dhe do të ndihmojë në largimin e Edi Ramës. Por çdokush që bën të kundërtën, pavarësisht si apo sa mundohet ta fshehë e ka të pamundur ta fshehë sepse qytetarët e kuptojnë dhe nuk janë budallenj.

Çdokush që do të ndihmojë në largimin e Edi Ramës ka qenë dhe është i mirëpritur. Ka patur të gjithë hapsirat dhe do të gjithë hapsirat në dispozicion. Çdokush që mundohet të heqë shenjën e barazimit midis dikujt që i ka hapur kaq shumë plakë vendit si Edi Rama në këto shtatë vite e gjysëm, plagë ekonomike, plagë papunësie, plagë emigracioni, shëndetësi në kolaps, arsimi në ditën e vet më të zezë, rinia në largimin më masiv të 20 viteve të fundit, dhe nga ana tjetër ka patur një opozitë që është përballur ditë për ditë me të gjitha format dhe mënyrat, pa diskutim që dikush që vendos shenjën e barazimit i shërben të parës. Pra i shërben qeverisë.

Megjithatë ftesa ime ka qenë dhe mbetet për këdo. Unë nuk kam pse flas me emra sepse kjo nuk është çështje individësh, aq më shumë individësh brenda Partisë Demokratike të cilët kanë patur një jetë politike, kanë patur mundësitë dhe shanset për të kontribuar dhe po kështu kanë patur vlerësimin e demokratëve.

Kjo është një çështje për jetë a vdekje për ndryshim.  Kush ndihmon për sjelljen e ndryshimit, pra për largimin e Edi Ramës, është i mirëseardhur. Kush përpiqet me apo pa maskë ta zgjasë qoftë edhe një orë largimin e Edi Ramës, atë pastaj qytetarët e kuptojnë fare qartë dhe përgjigjen ua kanë dhënë dhe do vazhdojnë t’jua japin.”, u shpreh Basha.

I pyetur nga gazetarët në konferencën e sotme, Basha tha se ndryshimi brenda PD ka nisur, por la të kuptohej se këto emra do të jenë jashtë, duke ia faturuar vendimin “anëtarësisë”.

“Mendoj se komunikimi ynë për këtë çështje ka qenë shumë i qartë, më vjen mirë që ka kaq shumë interes nga mediat për këtë çështje.

Ndryshimi ka nisur nga brenda shtëpisë, sonë dhe është mendësia me të cilën do qeverisim. Raporti i Komisionit do shqyrtohet në Kryesi dhe në Këshillin Kombëtar, dua ti falenderoj anëtarët e Komisionit për punën voluminoze, anëtarësia ka folur, dhe sipas statutit do merren vendimet përfundimtare.

Unë falenderoj anëtarët e Komisionit për punën voluminoze gjatë gjithë verës. Anëtarësia ka folur dhe organet vendimmarrëse, Kryesia dhe Këshilli Kombëtar, bazuar mbi të gjitha këto propozime, pasi të shqyrtojnë raportin e Komisionit, do marrin vendimin përfundimtar siç e ka statuti”, deklaroi Basha!.

Gjithashtu, kreu i PD vlerësoi punën e Komisionit të Vlersimit të kandidatëve, dhe tha se në rajon nuk ekziston fare si proces.

“Ky proces nuk ekziston fare në rajon, madje bëhet rrallë dhe në vendet europiane. Është një tregues i një fryme ndryshimi, i një përqasje të re e cila zhvillohet brenda PD.

Ndaj jo më këto quhet Demokratike se i dha fund totalitarizimit. Është një shenjë e qartë si në do konceptojmë qeverisjen nesër”, përmbylli Lulzim Basha, kreu i PD.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: