Zërat më autoritarë të shkencës së mjekësisë në botë po pohojnë se Covid 19 është një virus inteligjent dinak, që rrëshqet, ndërron, tërhiqet, bën sikur po mundet, ngjallet, të del nga prapa si në një lojë aspak argëtuese, përkundrazi, mizore në shumë raste.

E vërtetojnë luhatjet e shifrave të të prekurve dhe viktimave në shumë vende të botës, që sot zbresin, nesër ngrihen, duke sfiduar parashikimet. Sa herë kanë dalë huq ekspertët në Itali dhe gjetkë në prognozat e tyre për periudhën e pikut dhe rënies së virusit, apo në parashikimin e heqjes së masave shtërnguese!

Edhe në Shqipërinë tonë suksesi vijon të mbetet në fill të perit, i papërmbushur, me të prekur të rinj çdo ditë, numri i të cilëve mbetet në nivele të larta për kurbën e Shqipërisë. Tani, pas gjashtë javësh në karantinë, mungon një “rregull” në ecurinë dhe shpëndarjen e virusit. Jo vetëm në Shqipëri. Të duket se do të mbetemi gjatë në “ç’të dalë”.

Kjo “lojë” ka gjasa të vazhdojë derisa bota të ketë zbuluar e prodhuar në masën e nevojshme vaksinën kundër Covid 19. Ky do të jetë momenti i triumfit të njeriut mbi një revansh të natyrës, nëse do të apostrofonin këtu fjalët e Papa Françeskut, i cili për korrektësi, duke folur për pandeminë, pohoi “nuk mund të them se kjo është një hakmarrje e natyrës, por një përgjigje po”. Që është e njëjta gjë në thelb dhe ngre një problematikë shumë komplekse të raportit të njeriut me natyrën në kohën tonë.

Sidoqoftë, problemi i problemeve tani është si të pakësojmë dëmet duke mos patur ende në dorë armën vdekjeprurëse kundër virusit dinak. OBSH ka identifikuar si rrezik shumë të madh këtë javë valën e iluzioneve se pandemia është në tërheqje, shoqëruar me paralajmërimin e zbutjes së masave shtërnguese nga qeveritë. OBSH ka përsëritur me forcë thirrjen për mbajtjen në fuqi të këtyre masave.

Në këto kushte po fiton një rëndësi të shtuar diktoni në vijim: masa mbrojtëse numër një është përgjegjesia e secilit për vete dhe për të tjerët. Më shumë se kurrë antikoronavirusi është dhe do të jetë puna jonë, puna e qytetarëve pa përjashtim.

Ne i dimë tashmë masat mbrojtëse bazë, mbajtjen e distancës, shmangien e eventeve deri edhe ceremonitë mortore, larjen e duarve, mbajtjen e maskave dhe dorezave aty ku duhet. Këto masa duhet të bëhen shprehitë tona të reja të të jetuarit dhe të marrëdhënieve me njëri-tjetrin derisa virusit t’i gjendet ilaçi.

Njerëzit në gjithë botën, edhe në Shqipëri, po thirren në kauzë të themelojnë “bashkejetesën” në punë me Covid 19. Ne mund të punojmë duke zbatuar me përpikpëri rregullat e mbrojtjes. Dinakërisë së tij duhet t’i përgjigjemi me mençurinë tonë.

Qeveria ka detyrat e veta të pazëvendësueshme. Le të nxjerrë ligje, le t’i kapë dhe t’i çojë ku e meritojnë të marrët apo të ligjtë që duke e ditur se janë të prekur me virus do të guxojnë të dalin jashtë si bomba lëvizëse dhe të mbjellin vdekje. Qeveria le të vazhdojë t’i marrë masat që i mendon më të drejta për shmangien e vatrave të koronavirusit dhe izolimin e bartësve të tij. Nuk na vjen e keqja nga alarmi i tepërt, por i mangët. Nuk na vjen e keqja nga forcimi i masave mbrojtëse, por nga dobësimi i tyre.

Shqipëria është ende një shembull i mirë sa i përket përhapjes së pandemisë. Këtu nuk janë në lojë liritë dhe të drejtat njerëzore. Qeverinë dhe gjithë qytetarët bashkë me ta i kërcënon ekonomia. Sa më shumë të zgjasë karantina, aq më keq do të shkojnë punët e ekonomisë – e dobët, e brishtë, me informalitet të lartë dhe e abuzuar me shpenzime dhe investime me “dorë të rëndë” edhe pa ardhur koronavirusi.

Do të ketë kohë për të analizuar me qetësi pse ekonomia jonë tregoi dobësi në përballjen me pandeminë. Por sot, pikërisht sepse i ka të kufizuara fondet për të ndërhyrë, qeveria është më e interesuar se askush tjetër për zbutjen dhe heqjen e karantinës duke lejuar sipërmarjen e çdo niveli të nisë nga puna.

Në fakt, nëse duhet të monitorojmë me metër të rreptë veprimet e qeverisë, zbutja e masave dhe hapja duhet të marrin vëmendje më të madhe se forcimi i tyre. Pa e dekurajuar zbutjen, sigurisht.

Por le ta përsërisim: përtej asaj se çfarë na pëlqen e çfarë jo, me çfarë jemi dakord e me çfarë nuk jemi, sot, të sfidojnë këtë fatkeqësi të panjohur për të gjallët e kësaj toke është puna jonë e përbashkët. /Gazeta Liberale

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb