Pak ditë më parë kryeministri Edi Rama, ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, kryeministri i Mali të Zi Dritan Abazoviç, shoqëruar dhe nga delegacionet përkatëse, udhëtuan drejt Ukrainës, ku patën një takim me Presidentin Volodymyr Zelensky, kryeministrin  Denys Shmyhal si dhe kreun e bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.

Për të gjithë detajet që nuk u panë në kamera, bisedat zyrtare dhe gjithçka ndodhi gjatë kësaj vizite, Ministrja Elisa Spiropali ka folur sot në një intervistë për “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa, në News24.

Pjesë nga intervista:

Nisida Tufa: Keni qenë në Kive duke shoqëruar zotin Rama, do doja të dija si ishte ky udhëtim për ju?

Elisa Spiropali: Absolutisht i domosdoshëm si udhëtim dhe mesazhet që u dhanë aty ishin shumë të qara dje ia vlejti plotësisht. Udhëtimi ishte i gjatë, nuk mund të shkosh me avion dhe as të fluturosh mbi Ukrainë, për shkaqe sigurie. Ne fluturuam deri në juglindje të Polonisë dhe më pas, udhëtuam me makinë, dhe në fund morëm trenin për në Kiev për 12 orë.

Si ishte gjithë ky rrugëtim?

Ishte impresionues sepse ndjesia e luftës por dhe solidaritetit në pjesën e Polonisë ishte shumë e dukshme, Polonia ka bërë sakrifica të rëndësishme për numrin e refugjatëve të pranuar nga Ukraina, dhe është një shtet që e ndjen luftën dhe i është gjendur Ukrainës. Më pas kur hymë në territorin e Ukrainës është një ndjesi tjetër se e kupton që i afrohesh një zone të vërtetë lufte. Ishim në një tren të vjetër që ata e kanë vënë në dispozicion të udhëtimit të zyrtarëve, edhe kancelari gjerman apo presidenti i Francës dhe kryeministri i Italisë, udhëtuan me të njëjtin tren një ditë më vonë. Është protokoll. Deri në kufirin me Poloninë udhëton me trupat e sigurisë polake, dhe më pas të marrin në mbrojtje trupat ukrainase.

Ndiheshit të sigurt? Sepse krijohet dhe një emocion tjetër apo jo, dhe përgjatë rrugëtimit por dhe takimeve që zhvilluat, kishin ruajtje gjatë gjithë kohës, survejim?

Po patjetër, dhe nga forcat e sigurisë së Ukrainës, por kishte dhe forca të gardës shqiptare, është protokoll, dhe të Malit të Zi sepse ishte dhe kryeministri i Malit të Zi. Nuk u ndjemë të pasigurt, kryeministrat dhe të gjithë delegacionet që hynë në Ukrainë janë të gjithë të mbrojtur nga i njëjti protokoll, edhe në takimet e më vonshme ishte i njëjti komponim mbrojtjeje.

Lajmet thonë që periferia e Kievit ndryshon shumë nga qendra, sepse është më e prekur, shumë e goditur, a vihej re ndryshimi dukshëm?

Kishim një itinerar shumë të ngjeshur, edhe pse udhëtimi ishte shumë i gjatë, rreth 24 orë i shpenzuam në tren vajte-ardhje, por në Kiev gjatë gjithë ditës në takime, ishte e qartë që zonat ne vizituam ishin shumë të goditura në tërheqjen e trupave ruse, masakrat janë tashmë në sy të të gjithëve, mediat i kanë raportuar, Borodianka është rast edhe më i rëndë se Bucha, Zelensky e ka theksuar dhe vetë. Ishte e rëndë t’i shihje. Fillimisht vizituam Borodianka, pamë ndërtesat e djegura dhe të rrafshuara nga sulmet ruse… 

Çfarë ndjesie të krijonte?

Ndjesinë më të keqe të mundshme, periferitë e Kievit, janë shumë të gjalla dhe ishte dukshme që kishte një jetë shoqërore aktive para invazionit rus, dhe të shihje ato fantazme, pa njerëz sepse ishin larguar, lajmi i mirë është që po kthehen sepse kanë një ndjejë të fortë përkatësie, por gjithsesi kur ke dhe para syve imazhin e atyre trupave në rrugë, situata emocionale rëndohet.

A ishte kjo një vizitë e planifikuar? Sepse lajmi u bë i ditur vetëm një ditë përpara se ju të niseshit për në Kiev.

Patjetër që ishte i planifikuar, jo prej një kohës të gjatë, por diskutohej prej 10 ditësh, por për arsye sigurie të tyren dhe tonën, nuk mund të bëhej publike, dhe itinerari nuk mund të ishte në media. Edhe konferenca për shtyp nuk ishte live, u dha pak më vonë, sërish për arsye sigurie.

A mund të na zbuloni ndonjë detaj më shumë nga takimi me zotin Zelensky, çfarë tha ai?

Takimi i parë ishte me presidentin dhe ishte një ndjesi e fortë sepse e gjithë zona presidenciale ka elementë të sigurisë që ti nuk i sheh në një rezidencë presidenciale tjetër, por vendosmëria e tyre të bën shumë përshtypje, patriotizmi, jo vetëm e Zelenskyt, por e gjithë stafit të tij. Ndjenja e patriotizmit te të gjithë njerëzit që ne takuam  në Kiev e Ukrainë ishte shumë prekëse. Një patriotizëm i madh dhe ata kanë marrë parasysh dhe sakrificën finale, nuk e vënë në diskutim fare. Takimi si fillim me Zelenskyn ishte me delegacionet, të dy kryeministrat me delegacionet e tyre. Aty u fol shumë hapur, pati dhe një konferencë live me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, i cili nuk mundi të ishte fizikisht por mesazhin e tij e dha online, dhe diskutimi ishte i hapur,  vlerësimi maksimal që ata kanë për mbështetjen që ka dhënë Shqipëria, Mali i Zi, Ballkani Perëndimorë në tërësi, duke marrë dhe Maqedoninë e Veriut këtu apo Kosovën, ndjenja e falënderimit, sepse ne nuk kemi bërë pak, edhe pse nuk jemi një vend i madh, vend vendimmarrës në NATO apo në institucione të tjera, por kemi qenë të vendosur dhe me një zë të fortë që në fillim. Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që ka ndihmuar Ukrainën me armatime, është zë shumë i fortë dhe iniciatorë e disa rezolutave së bashku me SHBA, pra është linjëzuar me politikën e BE sa i përket sanksioneve. /BalkanWeb/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb