Psikologia Denada Toçe iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve të respektojnë masat kundër koronavirusit dhe të mos bëhen “armë” për të tjerët.

Në një lidhje me “Skype” për News24, psikologia Toçe foli për efektet negative të karantinës, duke thënë se ka sjellë rritje të dhunës në familje, por tha se më e shqetësuar në këtë periudhë është për fëmijët autikë, të cilët e kanë të nevojshme terapinë.

“Karantina ndikon në dhunën në familje. Gjatë kësaj periudhe ka pasur shumë denoncime. Përqindja më e lartë është që burrat ushtrojnë dhunë ndaj grave. Ata kanë rritur dhunën fizike, verbal, psikologjike. Madje, ata që kanë pasur dhe problem me konsumimin e alkoolit, e kanë rritur dhe më shumë dhunën. Ka shumë momente lidhjeje, por ka edhe momente dhune, që sjellin shpërthime ekstreme. Do ishte mirë që në raste shpërthimi, të kishte një tërheqje nga njëri partner. Në momentin që je shumë i stresuar, numëro deri në 10, dhe kur je shumë nervozuar, numëro deri në 100.

Duhet të kuptojmë që në këtë situatë të gjithë kemi humbur shumë. Për mua ka qenë shumë e vështirë, se përveç frikës se mos na prek neve ose njerëzit tanë të dashur, por edhe për faktin se u bënë gati 10 vite që punoj me fëmijët autikë dhe më vjen keq që ata nuk marrin dot shërbimin. Ata e kanë domosdoshmëri jetike trajtimin, ndaj dhe trishtimi është i madh”, tha psikologia.

Keni komunikim të rregullt me prindërit e këtyre fëmijëve?
Kemi komunikim. Ata na thërrasin sa herë kanë nevojë, nuk është strikte. Të gjithë specialistët e qendrës ku punoj janë të gatshëm për të dhënë asistencë. Të gjithë ne terapistët jemi të dedikuar pa asnjë lloj kushti financiar apo kusht tjetër.

Cili është mesazhi për popullin shqiptar?
Njerëzit kanë treguar se kanë qenë shumë të fortë gjatë historisë së njerëzimit. Kanë treguar se janë fitimtarë, janë të fortë dhe se mund t’ia dalin. Unë besoj se do ja dalim, por e vetmja gjë që kërkoj, është t’ia dalim me mençuri. Ky është një qëndrim social, ku çdo individ nuk duhet të jetë armë për të tjerët. Duhet të ruajmë veten tonë, njerëezit e tjerë, që të mos bëhemi armë për ta, sepse kjo nuk është shaka. Është diçka që nuk e kontrollojmë dot, është përtej inteligjencës sonë, na prek të gjithëve. Koha do ta tregojë që ne do të dalim shumë fitimtarë nga kjo situatë, mos e provokoni kohën.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb