TIRANË

“Mendoj që do jetë një vit i nxehtë politik. PD dhe opozita edhe për arsye të zhvillimeve të fundit, kam parasysh reformën në drejtësi pra kompletimin e institucionit të reformës në drejtësi dhe ngjarjen e tërmetit në një farë mënyre ka qenë në paqe por mendoj që kjo paqe nuk mund të vazhdojë”.

Kështu deklaroi ish-deputeti i PD Aleksandër Biberaj në rubrikën “Opinion” në News24. Ai tha se vendi është më keq se në vitin 1989 dhe se nëse maxhoranca vazhdon me këtë rrugë, shikon si opsion rrugën e protestave, radikalizimin e tyre.

“Opozita patjetër do të parashtrojë platformat e saj qeverisëse, përfshirë edhe një model të kodit të zgjedhor ose elektoral. Mbetet në vullnetin e maxhorancës për të shtrirë dorën e një marrëveshjeje ose bashkëpunimi, gjë për të cilën unë nuk besoj pasi maxhoranca ka rreth një vit që mund të kishte shtrirë dorën e bashkëpunimit sepse po vjen shkurti, kohë kur opozita vendosi për të djegur mandatet. 30 qershori ishte një farsë, nuk ishte zgjedhje por ishte një votim monopartiak dhe sot faktikisht të gjitha pushtetet i ka rilindja në Shqipëri. Pra, politikisht jemi në një situatë që mund ta krahasojmë me Shqipërinë e vitit 1989, biles është më keq sepse në atë kohë kemi pasur shpresë, kemi pasur besim se diçka do të ndryshojë kurse sot pothuajse nuk ekziston as shpresa dhe as besimi. Kështu që nëse maxhoranca vazhdon me këtë rrugë, unë shikoj rrugën e protestave, radikalizimin e tyre në mënyrë që keqqeverisja të ulet në tryezë bisedimesh me opozitën për të gjetur një zgjidhje, në mënyrë që pas miratimit të një kodi zgjedhor të pranuar nga gjithë faktorët politikë, Shqipëria të bëhet gati duke pasur një qeveri tranzitore për zgjedhje të përgjithshme dhe zgjedhje lokale sepse kemi parasysh që kemi edhe një pushtet lokal të dominuar nga rilindja. Kemi tre bashki që janë pa kryetarë dhe ky proces do të vazhdojë sepse ka akoma të tjerë që janë të inkriminuar, në kundërshtim me ligjin e dekriminalizimit mbajnë padrejtësisht pozicionet e kryetarëve të bashkive”, deklaroi Biberaj.

Ai tha më tej se radikalizimi i protestave do të thotë të përfshihen të gjitha shtresat e shoqërisë, përfshirë edhe profesorët, përfshirë edhe studentët, përfshirë edhe nxënësit, të gjitha grupet e margjinalizuara të shoqërisë nga keqqeverisja aktuale. “Mendoj që rruga e protestave mund të çojë në fitore. Protestat kanë përmbysur qeveri, kanë përmbysur regjime dhe klika shumë më të ashpra, më të egra se sa klika që kemi sot në pushtet. Natyrisht ne kemi pasur një sërë protestash që kanë qenë masive por ne kemi bërë përpjekje maksimale për të penguar qytetarët të shprehin dufin e tyre, urrejtjen e tyre ndaj qeverisjes dhe mendoj që nëse organizohen protesta, nuk është detyrë më e opozitës për të mbajtur popullin për të shprehur urrejtjen ndaj një keqqeverisje. Mund të përshkallëzohen dhe do jetë në dorën e popullit për të vendosur për fatet e veta”, u shpreh ai.

Sa i përket propozimeve të opozitës për kodin zgjedhor, Biberja tha se personalisht është për një sistem maxhoritar të kombinuar me proporcional.
“Mendoj që sistemi zgjedhor duhet riparë. Unë personalisht shpreh opinionin tim që jam për një sistem maxhoritar të kombinuar me proporcional siç e kemi pasur deri në vitin 2005 por edhe një sistem proporcional mund të jetë me korrektim siç e kemi kombëtar, ose me korrektim rajonal por me lista të hapura. Mendoj që janë dy opsionet më të mira.
Nuk jam për variantin që kryetari i partisë i bën listat dhe pastaj votohet për partinë dhe jo për individin sepse e kemi parë që nga viti 2005 niveli i parlamentit ka rënë dhe është poshtë nivelit mesatar intelektual dhe të arsimuar të shoqërisë. Kështu që lista e hapur do të kishte edhe një konkurrencë brenda partive gjë që zhvillon demokracinë brenda partive por qytetari shqiptar mund të kishte alternativën për të votuar individin. Sot kemi deputetë që nuk kanë zona elektorale, pra deputetë që nuk i japin llogari askujt sepse është votuar logoja e partisë, është votuar emri i kryetarit të partisë dhe jo emri i deputetit. Mendoj që duhet t’i rikthehemi sistemit që deputeti votohet dhe një deputet i votuar patjetër ka dinjitet dhe personalitet politik më shumë se sa kanë deputetët e sotëm dhe patjetër dhe deputetët mund të jenë më në shërbim të qytetarit sepse mandatin tjetër nuk të voton”, u shpreh ai.

Po kështu ai foli për komisione me profesionistë dhe jo bipartizane.
“Sikurse ka shumë elementë të menaxhimit teknik por mendoj që t’ia lëmë grupeve që po punojnë për reformën, një lexim elektronik dhe një dalje e rezultatit shumë e shpejtë dhe natyrisht që komisionet do të ishte mirë të ishin me profesionistë dhe jo komisione bipartizane siç kanë qenë gjatë këtyre 30 viteve. Pra, mund të ketë juristë, mund të ketë arsimtarë, mund të ketë mjekë por jo bipartizane. Janë mendime të miat por natyrisht që janë diskutuar dhe me lidershpin e partisë dhe ka mundësi të kemi edhe një kompromis. Dhe numërimi i votave të bëhet në qendrat e votimit dhe jo të kemi këtë procesin që e tejzgjat. Të kemi database qëndro dhe rezultati të shfaqet. Ne i kemi diskutuar, nuk është se kemi arritur në një zgjidhje të përbashkët. Është ngritur një komision dhe po punon. Po diskutohet patjetër në Kryesi, në Këshillin Kombëtar e në grupin parlamentar, me gjithë grupet e interesit për t’u arritur për një periudhë, besoj brenda janarit ose shkurtit për të pasur një model”, tha Biberaj.

Ish-deputeti theksoi se opozita duhet të marrë pjesë në çdo përballje elektorale me Rilindjen.
“Zgjedhje duhet të ketë patjetër këtë vit sepse Shqipëria nuk e ka luksin të vuajë një keqqeverisje të tmerrshme deri në qershor të 2021. Personalisht do të isha për tu futur në zgjedhje në çdo datë që të jenë, me çfarëdo lloj qeverie sepse ne faktikisht jemi maxhorancë sot dhe nuk është se flas me konotacion politik por me shifra dhe fakte. Votimet e 30 qershorit treguan se rezultati në favor të Rilindjes është me një shifër. Ai rezultat që ka dalë 15% është totalisht i manipuluar. Ka pasur qendra në Tiranë që deri në orën 16:00-17:00 rezultati ka qenë 3-4% pjesëmarrje që janë dhe bastione të së majtës. Në çdo përballje elektorale që do kemi me Rilindjen, duhet të marrim pjesë dhe i mundim. Për këtë jam krejt i sigurt”, u shpreh ai.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb