Kreu i Pd, Lulzim Basha tha se Shqipëria nuk po vuan vetëm nga kriza energjetike, por edhe ajo ekonomike, ku preken disa sektorë

. Gjatë fjalës së tij në parlament, Basha vuri në dukje se vendi është duke u përballur me korrupsion të një niveli të lartë.

Ai renditi më pas, të gjitha hapat që duhet për të ringritur vendin, që sipas tij, kalon përmes tre amendameve të propozuara nga Partia Demokratike disa ditë më parë.

“Ky nuk është vetëm një fitim i munguar për sipërmarrësit, të cilët janë të detyruar të veprojnë në një treg jo konkurues ku mbizotëron konkurenca e padrejtë e klientëve të qeverisë, por do të thotë edhe më pak të ardhura për shtetin.


E nëse kjo shumë nuk do të shkonte për të nginjur orekset e të korruptuarve, një pjesë e tyre, në duart e një qeverie të përgjegjshme, do të shndërrohej në investime në infrastrukturë, në shkolla, spitale, në subvencione për fermerët, në grante për sipërmarrje të celura nga të rinjtë dhe të rejat, në rritje pagash për mjekë e mësues, në ndihmë ekonomike për njerëzit në nevojë, në pensione më të dinjitetshme për gjyshet dhe gjyshërit që janë të goditur e parë të cmimeve që njohin vetëm rritje, në kompensim për pronarët dhe ish të përndjekurit.

Mund të bëhej shumë, por bëhet një asgjë e madhe, sepse ato para përfundojnë në majmjen e një kaste të korruptuar që e trajton Shqipërinë si plackë.
Pra, përtej revoltës që mund të shkaktojë pozicioni ku kjo qeveri e ka zhvendosur vendin, në këtë gjeografinë e republikave të bananeve, këto renditje janë pasqyimi i gjendjes në të cilën ndodhet Shqipëria sot.
Me pasoja që lexohen qartë në krizën ekonomike, politike, sociale dhe demografike, që në thelb është një krizë korrupsioni, e cila pengon vendin të ecë përpara. Pengon shqiptarët të zhvillojnë potencialin e pakufishëm që kemi si popull dhe si titullarë legjitim të një vendi të pasur, por mizorisht të vjedhur.

Sepse korrupsioni gjendet kudo. Te cmimet e energjisë, te ato të karburanteve, te mungesa e ilaceve nëpër spitale, te mungesa e vendeve të reja të punës, te pagat dhe pensionet e ulta, te listat e gjata nëpër ushqimore, te produket që flaken në kanale, te prona e mohuar dhe e pakompensuar, te krimi që merr për kot, te varfëria që rritet, te radhët e të rinjve dhe të rejave te ambasada gjermane, apo te pritja plot ankth e llotarisë amerikane.
Të gjitha këto janë simptoma të një plage që gërryen themelet e shtetit, që vret demokracinë, që pengon zhvillimin e vendit.
Megjithatë unë e di që nuk është e mjaftueshme të flasësh për korrupsionin dhe të denoncosh atë. Ai duhet mposhtur.

Ndaj 5 ditë më parë, Partia Demokratike ka depozituar zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë amendamentet kushtetuese në lidhje me 3 prioritete absolute për të nxjerrë Shqipërinë dhe shqiptarët nga depresioni, nga kriza dhe gjendja e mjerueshme, produkt i tetë viteve të keqqeverisjes, të korrupsionit dhe të shkatërrimit të çdo institucioni, duke përfshirë edhe institucionin e votës së lirë.
Këto tre çështje kryesore që pasqyrohen në amendamentet tona kushtetuese kanë të bëjnë me Reformën Zgjedhore, në të gjitha aspektet e saj, për ta kthyer Shqipërinë në shinat e legjitimitetit dhe demokracisë.

Me Reformën Territoriale, për të zhbërë dështimin katastrofik të reformës elektorale, që u hoqi shqiptarëve 25 vite progres të ngadaltë në vendosjen e decentralizimit të pushtetit lokal, duke e larguar shërbimin nga qytetarët”, tha Basha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: