Në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte i ftuar regjisori dhe aktori i njohur Erion Isai, aktualisht kryetari i Bashkisë së Kolonjës.
Teksa rrugëtoi nëpër kujtime, Isai zbuloi se është ngjitur në skenë në moshën 7-vjeçare me një monolog. Ndërkohë daljen e tij të parë në “Portokalli” e ka patur me rolin e Cuckës, të cilit nuk i pëlqente Tirana e atyre viteve. “Portokallia” për regjisorin ka qenë një shkollë e vërtetë, pasi aty mësoi gjithçka i duhej për rrugëtimin që do të kishte më pas.

“Ma bëri rrugën në art dhe në politikë më të lehtë”, tha ai, teksa me sinqeritet tregoi se për 15 vjet ka mësuar shumë prej regjisorit Altin Basha, të cilit në njëfarë mënyrë i ka ’vjedhur’ profesionin.

Gjatë programit ai foli për marrëdhënien e ngushtë që ka me aktorin Bes Kallakun, me të cilin për 15 vjet ka qenë partner në skenë dhe tashmë e konsideron “vëlla”. Raport shumë të mirë Erioni ka edhe me Ardit Gjebrenë për të cilin tha, “Është mik i familjes prej 16 vjetësh. Kam qenë asistent kur sapo kishte filluar “E diela shqiptare”.
Aktroi ndau në “Dola te Ola” edhe pengun e tij. Bëhet fjalë për një rubrikë shumë të suksesshme në programin “E Diela Shqiptare” që ai realizoi së bashku me Bes Kallakun dhe Olsi Bylykun për rreth 5 muaj. Ai tregoi se planet e tyre ishin që rubrikën “BE coffee” ta bënin program më vete, por ndodhi që ai u përfshi në politikë dhe kjo gjë nuk u realizua.

Një vend të rëndësishëm në jetën profesionale të Erion Isait zë edhe teatri. Ai tha se ka ardhur koha që në vend të ndërtohen më shumë teatro, teksa veçoi Tiranën, e cila sipas tij në raport me popullsinë duhet të ketë të paktën 10 teatro.
Në fund të shkurtit Erion Isai vendosi në skenën e teatrit kombëtar “Ar’Turbina” shfaqjen “Tërësisht të huaj”, e cila pati një sukses të madh. “Kam bërë një sakrificë të madhe fizike për realizimin e kësaj shfaqje. Zgjohesha në orën 4:00 nisesha për në Kolonjë, dhe pas punës në bashki nisesha sërish për në Tiranë. Bënim prova nga ora 20:00 deri në 01:00 të darkës, 3 herë në javë”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: