TIRANE– Mësuesit e Anglishtes në shumicën e shkollave 9-vjeçare në vend, zgjedhin për t’u mësuar nxënësve të klasës së gjashtë të njëjtat gjëra që u mësuan në klasën e pestë. Kjo pasi në masë mësuesit e lëndës, nga 3 librat e Anglishtes që u janë ofruar për konkurrim, kanë preferuar të zgjedhin atë me metodat fillestare që nxënësit i kanë mësuar, dhe jo një nga dy botimet e tjera që ndjekin vijimësinë e të mësuarit anglisht.

Këta janë 3 librat që konkurrojnë në shkolla ku mësuesit e lëndës duhet të zgjedhin të duhurin.
Më konkretisht “Spark 1” me autorë Virginia Evans dhe Jenny Dooley, që është aprovuar për klasat e gjashta në të gjithë vendin duket se është praktikisht i njëjtë me tekstin “Acces 1” që fëmijët përdorën vitin e shkuar, në klasën e pestë.

Dy librat kanë të njëjtët autorë dhe janë të së njëjtës shtëpi botuese, por çuditërisht kanë të njëjtin nivel. Ata nuk duhet të ndjekin njëri-tjetrin duke ndryshuar vetëm kopertinën, pasi niveli i gramatikës dhe fjalorit që ofrojnë është i njëjtë.

Zgjedhja që kanë bërë shumica e mësuesve do të rëndojë mbi nxënësit, pasi ata do të humbasin një vit kohë duke ripërsëritur ato që mësuan dhe jo të progresojnë drejt dijes.

Një tjetër diferencë mes librave përveç nivelit të mësimit anglisht është edhe viti i prodhimit. Dy librat e Kembrixhit dhe Pirsonit janë të prodhuar më 2015 dhe 2012 dhe bartin metodat e reja mësimdhënies dhe mësim nxënies anglisht, ndërsa botimi i “Expres public” me “Spark 1” është prodhim i vitit 2010.

Koha kur mësuesit duhet të zgjidhnin librat përfundon më 7 gusht por mesa duket zgjedhjet janë bërë dhe tanimë mbetet për tu parë nëse Ministria e Arsimit do ta lejojë këtë zgjedhje e cila mund të cilësohet minimalisht e mbrashtë dhe duke hedhur hije dyshimi mbi këtë proces të ndikuar.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: